Hoti e Abrashi ftohen për raportim në komisione për projektet që lidhen me pikën kufitare në Merdare

0
39

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrash janë ftuar për raportim në Komisionin për Siguri dhe në atë për Bujqësi, njofton GazetBlic. 

Këtë ftesë e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për medie.

Sipas njoftimit, Hoti është ftuar të raportoj lidhur me dhënien e pëlqimit për hapjen dhe operacionalizimin e vetëm të pikës kufitare në Merdare, kurse Abrashi është ftuar që të raportojë lidhur me zotimet e dhëna në takimin e 4 shtatorit në Uashington për ndërtimin e akseve rrugore dhe hekurudhore që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë në drejtim të Merdares.

Njoftimi i plotë:

Kryetarja e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, znj. Fatmire Kollçaku Mulhaxha dhe Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, z. Liburn Aliu, bazuar në përgjegjësitë e tyre dhe brenda fushëveprimtarive të këtyre komisioneve kanë ftuar Avdullah Hotin dhe Arban Abrashin për raportim.

Në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes është ftuar Hoti që të raportojë lidhur me dhënien e pëlqimit për hapjen dhe operacionalizimin e vetëm të pikës kufitare në Merdare, madje duke e trajtuar atë si pikëkalimi dhe jo si pikë kufitare në mes të dy shteteve. Po ashtu shpërfillja e hapjes edhe të pesë pikave tjera kufitare përgjatë vijës kufitare lë hije dyshimi të trasimit të rrugës për planet e Serbisë për të pamundësuar qasjen e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore qoftë edhe përmes qarkullimit nëpërmjet pikave kufitare.

Ndërsa, Arban Abrashi është ftuar që të raportojë lidhur me zotimet e dhëna në takimin e 4 shtatorit në Uashington për ndërtimin e akseve rrugore dhe hekurudhore që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë në drejtim të Merdares, duke devijuar linjën hekurudhore për në Leshakë. Devijimi i linjës hekurudhore nga Leshaku për në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë është në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës. Ngjashëm me hapjen e vijës kufitare vetëm në Merdare, edhe akset rrugore dhe hekurudha në drejtim të njëjtë po bëhet ndër tjera për të shmangur kontrollin e Kosovës mbi veriun e vendit. Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore në Kosovë duhet t’i përgjigjet interesave të shtetit të Kosovës dhe popullit të saj. Këto nuk duhet të konceptohen e ndërtohen si infrastrukturë që mundësojnë pretendimet e Serbisë dhe që pengojnë interesin e Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në veriun e vendit.

Ditë më parë deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar edhe kërkesa tjera për të raportuar në komisione parlamentare lidhur me politikën e jashtme, ekonominë, të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale, Ujmanin, minishengenin, bisedat për Zajednicën, ata që po i quajnë të “zhvendosurit” dhe për shpenzimet e një delegacioni të stërmadh në Uashington. Ne presim që edhe kryetarët e komisioneve që drejtohen nga deputetë të partive tjera politike të veprojnë me përgjegjësi dhe të caktojnë mbledhjet e komisioneve siç janë kërkuar nga deputetët e Lëvizjes dhe të ftohen për raportim Avdullah Hoti dhe anëtarët tjerë të delegacionit të tij.

Leave a Reply