Gjykimi për vrasjen e rëndë në Suharekë, i akuzuari largohet nga salla e gjykimit pasi e fyen dhe tenton ta sulmojë dëshmitarin

0
224

Kryetari i trupit gjykues në rastin për vrasjen e rëndë në Suharekë, gjykatësi Xheladin Osmani, u detyrua ta largojë të akuzuarin nga salla e gjykimit, në seancën e mbajtur të mërkurën.

Një gjë e tillë ndodhur derisa po dëgjohej dëshmitari Bajram Ademi, babi i të akuzuarës për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, Resmije Bytyqi, i cili njëherit është edhe axha i të akuzuarit Murat.

Ky gjykim ka të bëjë me vrasjen e të tanimë të ndjerit, Abedin Bytyqi, që kishte ndodhur më 6 tetor 2016, me të cilën janë ngarkuar të akuzuarit Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi. Sipas aktakuzës, viktima pasi ishte rrahur, ishte mbytur duke iu vënë zjarri dhe më pas duke u groposur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas debatit të ashpër që u zhvillua mes prokurorit Genc Nixha dhe mbrojtësit të të akuzuarit Murat Ademi, avokatit Bahtir Troshupa, seanca ka vazhduar me tensione në mes të këtij të akuzuarit dhe dëshmitarit Bajram Ademi.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari u pyet nga i akuzuari Murat Ademi, nëse i kujtohet koha se kur ka shkuar i akuzuari tek ata.

“A ju kujtohet koha, cilën kohë unë kam ardhur të ju, kam biseduar me Resmijen apo kam bisedu me ty, me nipin, me mbesën dhe bashkëshorten në shtëpi, çfarë kohe?”, ishte pyetja e të akuzuarit Ademi.

“Unë deklarova se brenda në shtëpi kanë biseduar Murati dhe Resmija, kurse nipat dhe mbesat nuk kanë bisedu, ka qenë mbrëmje, ora ka qenë 19:00-20:00”, deklaroi dëshmitari, duke shtuar se bisedat kanë zgjatur 10-15 minuta.

Kurse i pyetur lidhur me raportet me dhëndrin e tij, tani të ndjerin, dëshmitari u përgjigj: “Kanë qenë qysh ma të mira, 10 ditë para ngjarjes kemi qenë në Prevallë me Abedinin dhe dy dhëndrit tjerë”.

“A të kujtohet para rastit kritik, ditës kritike, që Resmija ka ardhur te shtëpia më ka taku dhe më ka marrë me vete, ku edhe ju si agjë keni qenë prezent tanë kohës”?, e pyeti i akuzuari dëshmitarin, i cili njëherit është axha i tij.

“Nuk e di që vajza ime Resmija ka ardhur me të marrë ty”, deklaroi dëshmitari Ademi.

“A jeni i sigurte që e thoni të vërtetën, para këtyre seancave dhe sot në seancë?”, e pyeti i akuzuari dëshmitarin.

“Sigurt jam dhe kurrë në jetën time nuk kam rrejte”, u përgjigj ai, pas së cilës përgjigje filluan edhe fyerjet në drejtim të tij nga ana e të akuzuarit Murat Ademi.

“Qen…Plak…Zoti ju mallkoftë me nipa e mbesa”, ishin disa nga fyerjet me të cilat i akuzuari iu drejtua dëshmitarit, axhës së tij, pas së cilave edhe u sul ta sulmoi fizikisht, por që u ndalua nga zyrtarët policorë, të cilët edhe u detyruan ta largojnë nga sallë e gjykimit.Video Player
Pas largimit të të akuzuarit nga salla e gjykimit, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit në fjalë.

Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktgjykimit, të akuzurve Ademi dhe Bytyqi, në dënim do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 tetori 2016 deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, kurse të akuzuarit Fetiu, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 18 nëntori 2016 deri më 28 qershor 2017, si dhe prej datës 20 maj 2019 e deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se me 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi kurse, Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytytqi,  ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.

Leave a Reply