Dekorin “elektrik” për festat e fundvitit, Suhareka ia beson një kompanie pastrimi

0
377

Një kompani pastrimi do të zbukurojë qytetin e Suharekës për festat e sivjetme të fundvitit.

“Coyote Clean” u rekomandua sot nga kjo komunë për kontratë, vlera e të cilës është mbi 18 mijë euro, shkruan “Front Online”.

E gjatë është lista e punëve që asaj i kërkohen t`i finalizojë. Ato lidhen kryesisht me vendosjen e dritave zbukuruese nëpër sheshet e qytetit – gjë që nënkupton se bëhet fjalë për punë që lidhen kryesisht me instalime elektrike.

Kompania “Coyote Clean” nuk figuron se merret me punë të kësaj natyre, të paktën sipas aktiviteteve që i ka përshkruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Aty si punë primare, sekondare e terciare e ka paraqitur vetëm pastrimin, shkruan “Front Online”.

Zyra e Prokurimit e arsyeton tenderin

Komunarët suharekas i dhanë këtë kontratë kompanisë “Coyote Clean”, ani se për të njëjtën kishin aplikuar edhe biznese tjera që merreshin enkas me instalime elektrike.

Nga Zyra e Prokurimit në këtë komunë e arsyetuan tenderin në një përgjigje të tyre për “Front Online”.

“Operatori ka referenca që ka kry punë të kësaj natyre dhe ka lidh kontrata të mëhershme me institutcionet. Kompania te aktivitetet e biznesit, përpos pastrimit, ka edhe aktivitete tjera. Pika 8130: aktivitete për shërbime të mirëmbajtjes dhe kujdesit të shesheve”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Në momentin kur u pyetën nëse kjo lidhje me punimet kryesisht elektrike, ata iu referuan pikës tjetër 9609: aktivitete të tjera.

“Shumëçka, nënkupton të gjitha”, u shprehen nga kjo Zyrë.

Aktivitetet tjera, cilidoqofshin ato, kompania i konsideron si punë të 7-a të saj.

Obligimet thuajse krejt elektrike që iu besuan kompanisë së pastrimit

Dekorim dhe ndriçim i 90 copave drunj në sheshin, Fadil Vata.

Dekorim dhe ndriçim i 65 copave shkurre dhe pishave të vogla në sheshin, Fadil Vata.

Dekorim me 60 copa drita të vogla në të dy anët e rrugës së sheshit qendror.

Dekorim me 30 copa drita në lartësi në mes të sheshit qendror.

Dekorim dhe ndriçim i 120 shkurreve dhe lisave në sheshin qendror.

Montim, ndriçim dhe dekorim me llampiona dhe figura tjera dekoruese të 2 bredhave me lartësi nga 7 metra (një në sheshin Fadil Vata dhe tjetri në sheshin qendror të Suharekës).

Dekorim dhe LED ndriçimi me yje dhe fluska debore jo më të vogla se 50 cm, LED ndriçimi me 3 yje të mëdhenj, me madhësi 6.5 m x 3 m, LED ndriçimi me vitin e shkruar 2022 me madhesi 4 m x 1 m.

Ndriçim i urës me drita LED dhe dekorimi me 20 copa yje të madhësive nga 50 cm deri 100 cm.

Sivjet katërfish më shumë se vjet

Suhareka sivjet i ka katërfishuar shpenzimet për dekorimin e qytetit.

Në raport me 2020-n kur shpenzoi mbi 4 mijë euro, tash një vit më pas kjo komunë po harxhon mbi 18 mijë sosh për të njëjtin qëllim, shkruan “Front Online”.

Komuna kurseu para më shumë – para 12 muajve – për faktin se gjeti një formë ndryshe për zbukurimin e qytetit.

Nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike “Skënder Luarasi” atje në mënyrë vullnetare morën përsipër zbukurimin e parkut të qytetit dhe shesheve.

Ndryshe vjet, disa komuna patën marrë vendim që paratë e planifikuara për dekorim të qytetit t’i destinojnë për qytetarët në nevojë për shkak të situatës së rëndë si pasojë e COVID-19./“Front Online”

Leave a Reply