Albin Kurti i del në mbrojtje Donika Gërvallës: Ajo e mbron luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në

0
89

Kryeministri Albin Kurti i ka dalë në mbrojtje zëvendëses së tij dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, pasi në drejtim të saj pati shumë kritika lidhur me një deklaratë të mëparshme ku ajo i quante kriminelë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, raporton Express.

Kurti ka thënë se Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën çlirimtare dhe UÇK-në. Sipas tij, kritikat drejtuar saj pas vizitës në Bruksel, nuk janë të rastësishme.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel. Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në drejtim të kryediplomates së Kosovës ditëve të fundit ka pasur shumë reagime. Gërvalla disa vite më parë kishte thënë se sapo të formohej Gjykata Speciale, do ta ndihmonte me materiale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale: Hashim Thacit dhe Kadri Veselit”.

“Brenda mundësive që kam patjetër që do të kërkoj materiale në Speciale. Po kam material. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaci që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaci. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla në Dukagjin.

Vitin e kaluar, epitetin e kriminelit ia kishte vënë edhe atë kohë shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit.

Leave a Reply