Kjo qeveri nuk duhet urryer, të përbuzet po!

0
461

Ky koalicion që pritet të qeverisë vendin në këto kohë pa kohë është absurd, ashtu siç janë absurde duartrokitjet që vijnë, madje edhe nga ata që për vite të tëra mund të kenë qenë mbështetës dhe njëherësh promovues të ketyre partive… sepse të besosh se një parti është alternativa e duhur s’ka asnjë të keqe, të pakten deri atëherë kur e ke kuptuar se partia që ti ke besuar: nuk ka lënë gur pa lëvizur, është çjerrur së ngërdheshuri, i është tendosur diafragma duke hedhur klithje me histerizëm…
Por pasi ia ke parë fytyrën e vërtetë, ti duhet të bërtasësh kundër tyre sa të ha fyti, për të sfumuar blegërimet e tyre
spekulative;
duhet të heqësh valle për të demaskuar ata parti, ata liderë që kthehen nga kundërshtarë në aleatë pa kaluar as tridhjetë sekonda, vetëm e vetëm që të kapin diçka nga torta që të jep pushteti..
Nëse pretendon se ke pak integritet moral dhe kulturor nuk mund t’i bashkohesh atyre… duhet të distancohesh madje.
Por nga ana tjetër as s’ke pse të rreshtohesh përkrah atyre që lëshojnë thirrje zemërimi deri në histeri ndaj kesaj qeverie që po vie.
Kjo qeveri nuk duhet urryer, por të përbuzet po. Të përbuzet Ramushi për hileqarllëkun që luajti me taksën, të përbuzet LDK-ja për proamerikanizmin e shtirur deri në neveri, të përbuzet Thaçi i Burojës që është i gatshëm të shkaktoj kriza, edhe atëherë kur nuk ka të tilla, ai i sajon. Të përbuzet Nisma, në mënyrë që pragut as mos të ketë mundësi më ti afrohet, jo më ta kalojë. E po ashtu Pacolli dhe çdo pazarxhi që qarkullon vërdallë.

PDK nuk duhet dhe s’ka pse të rreshtohesh as me ata
të cilët kanë ndërsyer masën për ta etiketuar dhe vënë damkë të gjithë partive: kush nuk është me ne është armik i yni. Ky slogan duhet hequr një herë e mira nga retorika e VV-së, ashtu siç duhet ndaluar ca leshko të PDK-së për ta etiketuar VV-në si bolshevike. As PDK nuk është e keqja e madhe dhe as VV nuk është proruse dhe aq më pak antiamerikane.
VV ka nje lider të fortë. Dhe ky lider i fortë ka një parti me individë të brishtë. Njësoj si PDK.
Pra si Veseli dhe Kurti si opozitar të kësaj qeverie të re duhet të kujdesen që elektorati i tyre të mos polarizojë edhe më tej qëndrimet, pse jo dhe të pastrojnë partitë nga individë që s’kanë tagrin dhe kulturën për t’i përfaqësuar. Kurti dhe Veseli s’duhet të lejojnë në gjirin e tyre individë që kërkojne të zbulojnë sabotatorë dhe diversantë.
Opozita duhet të shigjetojë sabotatorët e qeverisë së re.
Beteja duhet të jetë kundër tyre.

Shkruan: Bashkim RAKAJ

Leave a Reply