Ka diçka që quhet hipokrizi…

0
349
Enver Robelli

Në rastin e LDK-së, për shembull, me muaj të tërë disa nga eksponentët e saj kanë thënë se kandidatja e tyre për kryeministre është e parëndësishme, se ajo ka marrë vota vetëm nën siglën e LDK-së, andaj edhe përjashtimi i saj nga të gjitha funksionet partiake nuk i kushton asgjë LDK-së. “Shkofsh e mos u kthefsh” – ky ka qenë sllogani i disave në LDK pas përplasjeve mes kandidates për kryeministre me kryetarin e partisë, i cili ka arritur që vullnetin e tij arbitrar t’ia imponojë edhe kryesisë që s’pipëtin.

Kur në një aksion jostransparent, me email, u organizua përjashtimi i nënkryetares nga të gjitha detyrat, asnjë nga krerët e LDK-së, as këta princat e provincës, nuk protestuan, nuk kritikuan, nuk thanë asgjë, nuk paralajmëruan se kjo mund të ketë ndoshta pasoja. Shumica prej tyre me gjasë ishin të lumtur, sepse me qorrferman po largohej një konkurrente brendapartiake, e cila kishte kundërshtuar koalicionet me PDK-në, të cilën krerët e LDK-së në biseda private e quajnë parti “që me shërbimin e saj kriminal na i ka vrarë mbi 30 funksionarë”. Se si sillen e si janë sjellë krerët e LDK-së ndaj PDK-së sidomos pas shpalljes së pavarësisë, nuk duhet humbur shumë kohë për ta shpjeguar, e di opinioni, ka qenë raport vasaliteti për një copë pushtet.

Tani që ish-nënkryetarja (e përjashtuar!) e LDK-së krijoi një listë dhe bashkë me një parti tjetër po ndërton një front kundër partive të vjetra, të cilat në përmasa të ndryshme kanë faj për degradimin e Kosovës (krim, korrupsion, nepotizëm), eh, tani, ajo – ndonëse “e parëndësishme” – çdo ditë është në shënjestër të ish-kolegëve të saj të partisë. Ajo e paskësh “thyer qafën”, ajo qenka “ulur në prehër” e kështu me radhë. Gjuhë fund e krye primitive, seksiste, idhnake, dëshpëruese, qesharake. Filozofi rugoviane të jetë kjo? Pse ky obsesion me një politikane që e keni shpallur të “parëndësishme”?

A u bë ish-nënkryetarja bashkë me “armikun ideologjik”? Po në vjeshtën e vitit 2019 a nuk ishte LDK që thoshte se partneri i preferuar është VV? Dhe PDK-së i vinte një vijë të kuqe. Për t’u thelluar pak në histori: e si paska pranuar LDK në vitet 90-të ta ketë nënkryetar Hydajet Hysenin?
Asnjë politikan nuk duhet idealizuar, rrjedhimisht as ish-nënkryetarja e LDK-së që sot ushtron detyrën e presidentes (nganjëherë me veprime tepër të vrullshme dhe të papjekura). Por kjo fushatë kundër saj ka më shumë të bëjë me përpjekjen për të ruajtur të vjetrën dhe ka të bëjë me frikën se ndryshimi i madh më 14 shkurt do të ketë pasoja edhe te partitë e tjera. Sepse nëse në Kosovë ndonjëherë krijohet rend e rregull, nëse sundon ligji, nuk është kurrfarë befasie që jo pak njerëz duhet të përballen me drejtësinë.

Sa ishte në LDK ish-nënkryetaren e quanin me përbuzje “nusja e Preshevës”. Nusja duhet të bëjë temena, nuk duhet të përzihet në punët e burrave, sepse burrat e dinë se “do ta marrim Preshevën dhe nuk do të japim asnjë centimetër të territorit të Kosovës”, me këto rrena është terrorizuar opinioni me vite të tëra (madje këto rrena i kanë përkrahur edhe disa në LDK, të cilët sot thonë se ish-nënkryetarja ka shkuar te “marksist-leninistët”, ndërsa për t’iu vardisur Hashim Thaçit dikur i thoshin se “babai im ka qenë në LPK”). Tradhti ndaj LDK-së qenka një koalicion mes V. Osmanit dhe A. Kurtit, ndërsa mrekulli qenka që intelektualët rrahagjokës të LDK-së me vite të tëra të celebrojnë publikisht miqësi me krerë të rëndësishëm të LPK-së që tani janë në PDK?
Nëse Vjosa Osmani ka gabuar, le ta paguajë çmimin. Nuk do të jetë as e para, as e fundit. Por kjo hipokrizi e krerëve të LDK-së është bërë toksike. Hapi i parë i LDK-së do të duhej të ishte vetëkritika. A janë bërë gabime në të kaluarën? Hajde ta harrojmë Vjosa Osmanin. Njerëzve u kujtohen skenat e turpshme kur Donika Gërvallës i ndalohej prania në kuvendin e partisë, për të cilën ajo ka merita historike, për të cilën ajo ka bërë dhjetëfish më shumë se ata që janë ngjitur për kolltukë qe 30 vjet. LDK duhet të flasë së pari me vetveten. Kështu ka shanse të kthehet në skenën politike si parti e rëndësishme, ashtu siç ka qenë në shumë faza të historisë, por jo në të gjithat.

Shkruan: Enver ROBELLI

Leave a Reply