Dragashi një nga komunat e rralla pa koronavirus, kryetari meritat ua adreson qytetarëve

0
558

Dragashi është nga komunat e rralla në Kosovë që nuk është prekur nga koronavirusi edhe pse gjeografikisht gjendet afër Prizrenit që është karantinuar dhe në kufi me Shqipërinë dhe Maqedoninë që kanë pasur numër të madh të të infektuarve.

Deri në këto momente asnjë person nuk ka dalë pozitiv me COVID-19 dhe aktualisht nuk ka njerëz të dyshuar si të infektuar.

Për të folur për menaxhimin e situatës në këtë kohë të vështirë, Indeksonline ka intervistuar kryetarin e komunës së Dragashit, Shaban Shabani.

Kryetar si po e menaxhoni situatën me koronavirus edhe pse fatmirësisht nuk ka asnjë rast të paraqitur si i infektuar?

Po për fat të mirë deri tash kur po flasim në komunë të Dragashit nuk ka raste të konfirmuara ose të dyshuara për COVID-19. Komuna e Dragashit me tu paraqitur rastet e para ka marrë masat brenda mundësive dhe kapaciteteve të veta, fillimisht me themelimin e shtabit emergjent ku janë shtuar edhe angazhimet tona të përgjithshme, bashkëpunimi me qytetar brenda kohës kemi themeluar edhe këshillat dhe nën këshillat nëpër fshatra. Brenda mundësive tona jemi munduar t’i përmbushim të gjitha detyrat dhe obligime. Meritor për këtë situatë që kemi tash në radhë të parë janë qytetarët e Komunës së Dragashit pasi që kanë respektuar të gjitha masat e rekomanduara nga IKSHP dhe MSH. Gjithashtu një punë të jashtëzakonshme dhe një falënderim meriton i gjithë stafi i komunës, policia e Kosovës, Inspektorati, bashkërisht me dy ekipe mobile që kanë kryer vizita nëpër fshatra.

Komuna e Dragashit njihet që është komunë me diasporë të madhe, na e kemi bërë publike edhe më herët që bashkatdhetarët tonë janë të mirëseardhur në çdo kohë me ardhë në shtëpitë e tyre pasi që ata janë motrat dhe vëllezërit tanë. Mirëpo kemi kërkuar që të respektohen rregullat dhe një gjë e tillë ka ndodhur, respektimi i këtyre rregullave ka bërë që sot të jemi në një situatë të tillë, dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Normalisht kjo nuk na jep komoditetin që na tash t’i thyejmë rregullat ose të kryejmë veprime që janë në kundërshtim me rregullat dhe shpresoj që qytetarët në vazhdimësi janë duke i respektuar rregullat dhe do t’i respektojnë edhe në të ardhmen.

A janë bërë teste për qytetarët e Dragashit, për ndonjë që eventualisht ka qenë i dyshuar si i infektuar?

Po na në vazhdimësi e kemi mbajtur në kontroll të gjitha lëvizjet e qytetarëve tanë. Aty ku është dyshuar që ka shenja menjëherë është dërguar për në institut për me krye testin por për fat të mirë të gjithë kanë rezultuar negativ. Masa e qeverisë për karantinimin e të gjithë atyre që vijnë në Kosovë nga vendet e jashtme, pak a shumë na ka lehtësuar edhe neve situatën pasi që tani e kemi informacionin e plotë për qytetarët tanë që janë në karantinim dhe ne e kemi detyrën që të shkojmë dhe t’i marrim dhe kemi kërkuar që ata të kryejnë edhe masën e vetë izolimit për një kohë të caktuar. Deri tash gjithçka ka shkuar në rregull, vetëdija e qytetarëve ka qenë në nivel dhe angazhimet e përbashkëta përmes shërbimeve e kanë bërë të vetën për këtë situatë.

Faktikisht komuna juaj gjendet në izolim, pasi me izolimin e Prizrenit edhe e komuna e Dragashit është izoluar, si e shihni këtë vendim?

Ka qenë i mirëseardhur edhe pse na i rrit sfidat në qarkullim, por në kohën që është vendosur ishte një situatë e paqartë edhe për ne pasi që ishim në dyshim që a të vendosim masa edhe ne ose jo, pasi që Dragashi ka lidhje shumë të afërta me Prizrenin. Në atë kohë që është vendosur komuna e Prizrenit në karantinë, faktikisht vetë Dragashi është vetë karantinuar dhe ka qenë i mirëseardhur në atë kohë.

Nëse shënohet eventualisht ndonjë rast pozitiv, sa është komuna e gatshme të ballafaqohet me të?

Po tashmë ne jemi të përgatitur se pak a shumë kemi krijuar një përvojë në menaxhimin e situatës. Ne besojmë dhe urojmë që të mos kemi asnjë rast por nëse eventualisht ka raste ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me situatën. Edhe kur ka pasur raste të dyshimtë, ne menjëherë kemi bërë identifikimin e kontakteve por fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ. Ne mendojmë se jemi të përgatitur, normalisht brenda kapaciteteve tona sa mund të përballojmë këtë situatë.

A ka ndarë mjete komuna për ta menaxhuar situatën?

Komuna e Dragashit ka ndarë 120.000 euro mjete për menaxhimin e situatës me COVID-19, një pjesë e tyre do të shkojnë për pako ushqimore dhe higjienike, një pjesë për materiale mbrojtëse dhe një pjesë për dezinfektimin. Realisht ne jemi ka fundi i proceduarave dhe brenda kësaj jave do t’i mbyllim të gjitha proceduarat dhe do të kemi mundësi tu gjendemi afër njerëzve në nevojë. Por edhe pse ne kemi shumë mundësi, falë shumë organizatave dhe falë donatorëve. Sipas informatave zyrtare që kemi janë shpërndarë 904 pako edhe higjienike edhe ushqimore. Në fillim është bërë dezinfektimi i të gjitha objekteve, fillimisht atyre shëndetësore, atyre publike komunale, objekteve publike banesore, shkollave dhe objekteve tjera.

Përvec vizitës së kryeministrit në detyrë, a keni pasur përkrahje tjetër nga niveli qendror?

Po krahas vizitave të nivelit të lartë qendror si ka qenë kryeministri, ministri i bujqësisë dhe ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, ne kemi pasur nderin t’i presim edhe nivelet më të larta të Policisë së Kosovës, FSK, Agjensionit për Emergjenca, bashkëpunimi ka qenë i përhershëm, megjithëse bashkëpunimi ka qenë me Institutin dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

A i ka dëmtuar bizneset kjo pandemi?

Realisht kjo pandemi ka ndikuar shumë në bizneset e Komunës sonë sikur edhe në krejt Kosovën, por në Dragash kjo është më e shprehur por megjithatë po mundohen t’ia dalin bizneset, sidomos ato bizneset e mëdha që kanë punëtor më tepër. Por fatmirësisht nuk kemi mbyllje të bizneseve të mëdha por vështirësia është më e madhe te bizneset e mesme dhe të vogla.

E dimë që përafërsisht buxheti i komunave të vogla është i limituar, po a ka ndonjë plan që me i ndihmuar bizneset pas pandemisë?

Kjo ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm, mbështetja e bizneseve pasi që komuna e Dragashit ka  qenë e kufizuar me mundësi që t’i ndihmoj bizneset. Por me mundësitë tona, para pandemisë është marrë vendim që të lirohen nga taksat komunale dhe nuk kanë obligim që të paguajnë. Por pas pandemisë besojmë që do të zbutet gjendja e vështirë që kanë bizneset por mbetet shqetësuese periudha pas pandemisë se çfarë do të ndodh pastaj. Megjithatë komuniteti i bizneseve është i përkushtuar në aktivitetin e vet dhe po mundohet t’ia del disi, normalisht në vështirësi të mëdha.

A mundet me u rreziku ndonjë projekt komunal i realizuar si nga komuna ashtu edhe nga niveli qendror?

Realisht ne rrezikohemi për të gjitha projektet e investimeve kapitale në komunën e Dragashit, por fatmirësisht këto projekte janë dy-tri vjeçare dhe janë në vazhdimësi të planifikuara të kryhen deri në vitet e caktuara. Shqetësuese për ne është çështja e realizimeve të investimeve kapitale. Ne edhe ashtu jemi vonuar deri në këtë kohë, por tash edhe koha e pandemisë ka ndikuar që të mos fillojnë shumë punime që lidhen me investimet kapitale. Së fundmi Shtabi Emergjent ka marrë vendim që deri me 4 maj të pezullohen të gjitha punimet që lidhen me investimet kapitale. I veti qëllim është që ta ruajmë shëndetin publik të qytetarëve. E dimë që është e vështirë por prioritet i yni mbetet ruajtja e shëndetit publik.

 Mbetet që pas pandemisë, së bashku me nivelin qendror të angazhohemi shumë më tepër që së paku, ato që llogariten me prioritet të madh t’iu japim përparësi dhe t’i kryejmë investimet. Për ndryshe do ta kemi shumë të vështirë, jo vetëm Komuna e Dragashit por të gjitha komunat tjera.

Te komuna e Dragashit është një karakteristikë që ne jemi në lartësi të lartë mbidetare dhe ndoshta muaji tetor është muaji i fundit ku mund të punohet, ku dallon nga komunat tjera që mund të punohet deri në dhjetor. Por po shpresojmë që mund të na kaloje më shpejtë se që po e presim.

Nëse më lejoni unë desha të përçoj një mesazh te qytetarët e Komunës së Dragashit dhe të gjithë ata bashkatdhetar që gjenden jashtë Kosovës. Ne jemi në prag të Ramazanit dhe nesër është dita e parë e agjërimit. Po shfrytëzoj nga rasti që në emër të të gjitha strukturave komunale, në emër timin personal t’iu uroj një agjërim të lehtë. Këtë vit është i veçantë agjërimi pasi që xhamitë janë të mbyllura, nuk do të ketë iftare prandaj ne iu bëjmë thirrje që të respektojmë të gjithë ato rregulla që i kanë vendosur profesionistët nga Instituti i Shëndetësisë Publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës. Si do që të jetë është e rëndësishme për ne t’i respektojnë këto rregulla pasi që janë në të mirë të të gjithëve.

Së fundmi iu uroj një agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara te i madhi Zot!

Leave a Reply