Zemaj: Kosova ishte shembull në menaxhimin e pandemisë, vaksina do të ketë për të gjithë

0
450

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova po e vazhdon luftën me COVID-19 me të gjitha kapacitetet që i ka.

“Dua t’iu siguroj se me tërë kapacitetin tonë, por edhe përgjegjësinë morale dhe institucionale, me kapacitetin vendor që e posedojmë dhe mbi të gjitha me përkrahësit ndërkombëtarë po vazhdojmë të vendosur luftën kundër virusit me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion”.

Ai, në mbledhjen e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, ka siguruar se do të ketë vaksina për të gjithë.

“Ministria e Shëndetësisë bashkë me IKSHPK-në ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për vaksinim. Ju siguroj ju dhe qytetarët se të gjithë ata që duhet të vaksinohen do të vaksinohen sipas planit të vaksinimit. Edhe më tej po vazhdojmë të jemi të angazhuar me partnerët tanë – OBSH-në, UNICEF-in, mekanizmin COVAX, shtetet mike, prodhuesit – për të siguruar sa më shumë vaksina kundër COVID-19. Nuk është problem buxheti, angazhimi, kontakti me prodhuesit apo përmbushja e kushteve dhe kritereve të kërkuara nga secili prodhues dhe shtet. Qeveria e Kosovës për vitin 2021 ka paraparë 40 milionë euro për vaksina dhe nevoja të tjera lidhur me COVID-19 duke shtuar edhe 10 milionë euro nga pjesë e rimëkëmbjes”.

I pari i shëndetësisë ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë faj që nuk kanë ardhur akoma vaksinat kundër COVID-19, ani se ishte premtuat se do të vijnë në muajin shkurt.

“Është evidente që lufta ishte e pabarabartë. Kemi arritur që të ngrisim kapacitetetet si kurrë më parë, pothuajse për gjashtë muaj edhe duke përdorur analogji apo metoda krahasimore për 20 vjetët e kaluara duke filluar nga pajisjet, shtretërit, ambientet, kuadrot, resurset humane, infrastrukturën në plotni dhe protokollet për trajtimin e virusit”.

Madje, Zemaj ka lavdëruar menaxhimin e pandemisë duke thënë se “Kosova ishte dhe është shembull i menaxhimit të pandemisë”.

“Ne kemi bërë më shumë se çdo shtet i rajonit. Për Kosovën flitet edhe në institucionet më prestigjioze shëndetësore. Kemi qenë dhe mbetemi shembull i menaxhimit të pandemisë, mbi të gjitha kemi lejuar të parët edhe barërat klinikë apo përdorimin e plazmës. Përderisa nuk jemi pjesë e OBSH-së, OKB-së dhe BE-së, ne nuk jemi fajtorë që partnerët për furnizim me vaksina nuk arrijnë të realizojnë premtimet dhe zotimet e veta, prandaj përpjekjet tona nuk janë ndalur asnjëherë”.

Leave a Reply