“Sytë e mi shohin vetëm muzikë” – rrëfimi i veçantë i Stenaldos, Unikut e Leutrimit, të verbër përballë jetës por jo edhe përballë suksesit

0
511

Është gjithmonë e vështirë dhe ‘e frikshme’ të mendosh përgjigjen kur dikush të pyet “se a do të mund ta imagjinoje një botë të errët, pa e parë”, ani pse në disa raste, të mos shohësh ato që ndodhin sot në një botë jo edhe aq të këndshme në të cilën jetojmë, nga herës mund ta quash veten ‘me fat’.

Ky është rasti i tre artistëve shumë të veçantë shqiptarë, të cilët i takojnë komunitetit të persomave të verbër.

Stenaldo Mëhilli, Unik Ukshini dhe Leutrim Gërvalla janë tre këngëtarët, për të cilët pamundësia për ta parë botën, nuk i pengoi në ëndrrën e tyre të madhe për muzikën.

Në këtë rrëfim të veçantë për Telegrafin, të tre artistët me aftësi të kufizuar në shikim, treguan për rrugëtimin e tyre me shumë sfida në muzikë, por që kanë gjetur përkrahjen nga rrethi shoqëror, të cilët i kanë shtyrë përpara në jetë.

Stenaldo – artisti që “sheh” vetëm përmes muzikës

Stenaldo Mëhilli (Foto: Top Channel)

Të gjithë mbetën të befasuar kur në edicionin e vitit 2014 të spektaklit të talenteve në “The Voice of Albania”, u shfaq një djalosh që i bëri të gjithë të qajnë.

Ishte ky artisti nga Tirana, Stenaldo Mëhilli, i cili preku zemrat e të gjithëve me interpretimin e këngës “All of you”, dhe mori dritën e përzgjedhjes nga anëtarja e jurisë aso kohe Alma Bektashi.

Në bisedën për Telegrafin, Stenaldo tregon se sa ka qenë e vështirë ndërtimi i një karriere muzikore, si një person i verbër.

“Sigurisht, kur vjen puna te të pasurit e një karriere, sfidat janë të shumta pavarësisht nëse dikush ka një aftësi ndryshe, një lëkurë me ngjyrë apo një identitet jokonvencional gjinor. Prandaj nuk mund të them se mungesa e shikimit ka luajtur ndonjë rol pengues në ecurinë time si muzikant. Fundja të kënduarit apo luajtja në një instrument s’kanë fare të bëjnë me shikimin tonë. Aq më tepër që edhe shumë prej atyre sfidave që na kërkojnë sy të mire për ti zgjidhur, mund të tejkalohen dhe fitohen plotësisht në mënyra të tjera. Në këto vite të fundit i jam dedikuar thellësisht universitetit, studimeve të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Me keqardhje kam ndejtur relativisht larg nga publiku i gjërë, me pak projekte të reja. Aktualisht vazhdoj të performoj në vende të ndryshme, kryesisht me përmasa të vogla por do të rikthehem shpejt aty ku e kam lënë. Nëse pyetem se ku do ta zhvilloja karrierën time, në muzike apo politik, do të zgjidhja gjithmonë muzikën”, thotë Stenaldo.

Foto: Stenaldo Mëhilli/Instagram

Tutje, ai tregon se si qëndron situata me paragjykimet në shoqëri, e që mesa duket janë të rralla rastet kur një gjë e tillë ndodhë.

“Nuk është aspak e lehtë të flasësh për paragjykimin; mbi të gjitha sepse paragjykimi është gjithnjë një krim, por ata që e bëjnë atë s’janë kurrë kriminelë! Këtë e them sepse është njerëzore të paragjykosh. Të gjithë e bëjmë herë pas here… në mënyrë krejt të zakonshme. Kjo megjithatë, nuk i bënë paragjykimet legjitime. Për fat të keq (dhe këtë e them me bindje të plotë), shpesh herë paragjykimet kanë peshë shumë më të madhe sesa vetë patja e një aftësie ndryshe. Sigurisht që jam ndjerë i paragjykuar. Çështja është, ç’duhet të bëjmë ne, si individë dhe shoqëri që të ndryshojmë mendësinë e gabuar lidhur me atë çfarë një person i verbër është, mbi atë çfarë një person i tillë mund apo s’mund të bëjë, e me radhë. Paragjykimet heqin mundësi dhe mbyllin dyer për cilin do prej nesh. Për mua, mungesa e shikimit s’është gjë tjetër veç se një karakteristik fizike; siç janë flokët e mi të errët, vetullat e dendura, dhe gjithë tiparet e mia fizike. Kur jam përballë dikujt preferoj të shihem me imtësi të thellë, —nga koka te këmbët—, dhe të gjykohem për atë çfarë jam. S’dua as të më veshin aftësi që S’I kam, por as të heqin gjë prej asaj që është imja”, thekson Mëhilli për Telegrafin.

Artisti nga Shqipëria gjithashtu bën të ditur sfidat me të cilat përballet një person i verbër në Shqipëri.

“Sfida më e madhe që një person i verbër hasë në Shqipëri është pamundësia për të qenë i pavarur në lëvizje. Ky është padyshim problem më I madhë, por jo I vetmi. NË Kosovë, Semaforët janë të pajisur me sensorë që përgjigjen me zë sipas ndryshimet të dritave të trafikut. Në Shqipëri, as kaq nuk është. Kjo është një ndër arsyet që Kosova më impresionon ndershmërisht më shumë se Shqipëria, vetëm një ndër to”, thotë Stenaldo.

E krejt për fund, ai ka një mesazh për të gjithë ata që mund të jenë në pozicionin e tij, duke inkurajuar që e vetmja rrugë drejt suksesit është të luftosh.

“Mesazhi im dhe çelësi i mosdorëzimit? Personat e verbër nuk kanë përse të dorëzohen! As kanë pse ta çojnë në për mend! Anë e mbanë botës individë që nuk shikojnë kanë profesione nga më të ndryshmet dhe nga më të shkëlqyerat! Punojnë si zyrtarë, si diplomatë, si politikanë, si hidraulikë, si mekanikë makinash, si biologë, si shkencëtarë në Nasa, si oqeanografë… ata punojnë gjithçka që besojnë se mund ta bëjnë, dhe kjo s’është aspak një doze optimizmi por një fakt i verifikueshëm! Shikimi nuk pengon një jetesë dinjitoze nëse kushtet plotësohen sipas nevojës. Mos harroni, njerëzit me të vërtetë nuk fluturojnë si zogjtë e qiellit, por në hënë shkuam ne, jo pulëbardhat me dallëndyshet”.

Uniku, vërtet unik!

Foto: Unik Ukshini/Instagram

Dëshirën për t’u marrë me muzikë e kishte që në fëmijëri, e një dëshire të tillë ai i dha “jetë” pas përfundimit të shkollës së muzikës.

Sot, këngëtari i verbër nga Ferizaj, është një emër mjaft konkurrues në tregun muzikor, për kah talenti dhe këngët e tij.

Ai për Telegrafin thotë se paragjykimet ishin thuajse inekzistente, shkaku që ishte i rrethuar me njerëz të mirë afër vetes.

“Pasi që unë kam të kryer shkollën e mesme të muzikës dhe fakultetin, vështirësitë kanë qenë elementet bazë (literatura në shkrimin braille). Paragjykimet për verbërinë në mua kanë qenë tepër minimale, pasi që kam pasur fatin të rrethohem me njerëz shumë, shumë të mirë (shokë e shoqe) gjithashtu, nuk më ka munguar as mbështetja e shumicës së mësimdhënësve si në shkolle të mesme, ashtu edhe në universitet”, ka thënë Unik Ukshini për Telegrafin.

Kënga e tij “Ngjyrat e dashurisë” e punuar nga kompozitori i madh Ilir Berani, është një nga këngët më të bukura dhe të veçanta të repertoarit të tij.

Kjo këngë madje mori një vlerësim të lartë nga tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, i cili e publikoi atë në faqen e tij zyrtare në Facebook, pikërisht në ditën e grave, meqë edhe teksti i saj u dedikohet të gjitha nënave.

“Suksesi i këngës “Ngjyrat e dashurisë” nuk mungon dhe nuk do t’i mungojë, sepse, përveç faktit që dihet se ç’këngë është, është punuar edhe me njerëz që kanë lënë këngë të përjetshme. Jam shumë i kënaqur. Kur pashë postimin e Ramë Lahajt, u befasova tepër. Ishte një ndjenjë tepër e mirë. I kam bërë koment falënderimi në llogarinë e tij në Facebook dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe nëpërmjet kësaj interviste”, thekson artisti Ukshini.

Ashtu si Stenaldo, edhe Ukshini ka një mesazh motivues për lexuesit, duke potencuar që mos-dorëzimi dhe lutja ndaj Zotit, janë mënyra e vetme për në rrugën drejt suksesit.

“Keni synime e ëndrra në jetë, pavarësisht me ç’vështirësi përballeni, përqendrohuni tek objektivi, drejtohuni me lutje te Zoti dhe duhet të besoni që do të bëhet ajo që ti do (mundësisht, mos të jetë dëm për shoqërinë ku jeton. Ky është edhe mesazhi, edhe cilësia”, është mesazhi i Unikut.

Leutrim Gërvalla – këngëtari që me përkrahjen e familjes, nuk u ndal asnjëherë!

Leutrim Gërvalla (Foto: D Production)

Fati i të mos-pamurit preku edhe artistin e ri me prejardhje nga Deçani, Leutrim Gërvallën.

Leutrimi, i cili dikur kishte emocionuar publikun dhe jurinënë spektaklet e talenteve si “X Factor Albania” dhe “Albanian Star”, tregon për Telegrafin se me muzikë ka nisur të merret qysh herët, dhe ka gjetur mbështetjen e familjarëve.

“Unë me muzikë kam filluar të merrem qysh si fëmijë, vullneti edhe dëshira dhe përkrahja e familjes më kanë shtyrë të mos ndalem asnjëherë. Sa i përket paragjykimeve s’jam ndjerë asnjëherë i paragjykuar sidomos nga familjarët rrethi e sidomos nga shoqëria. Kur kam dashtë me hy dhe të regjistrohem në shkollë të muzikës, kam pas mendime se a do paragjykohem por fatmirësisht ndodhi e kundërta, tani kam plot shokë dhe shoqe e besa shoqëri dhe nga artistë të ndryshëm. Suksesi më i madh për mua ka qenë pjesëmarrja në “X Factor Albania” dhe prej aty më janë hapur dyert e suksesit”, ka thënë Leutrim Gërvalla për Telegrafin.

Në mesazhin e tij përmbyllës, Gërvalla inkurajon familjarët e personave të verbër, që të tregohen suportues ndaj tyre, sepse kjo është e vetmja mënyrë që i çon ata përpara.

“Unë kam një mesazh: Pa marrë parasysh dhe pse je e/i verbër të mos dorëzohesh të ndjekësh çfarë do ëndrre që ke sepse mund të ja dalim. Gjithashtu mesazhi im ju drejtohet familjarëve, prindërve kudo në Kosovë, që mos t’i fshehin fëmijët pa marrë parasysh problemeve që kanë, e sidomos të verbërit, mos t’i mbyllin por të Iu lejohet realizimi i ëndrrave të tyre”, përfundon Leutrimi.

Teksa shumë njerëz “me sy në ballë” ankohen nga gjërat e përditshme që jeta dinamike u sjell përballë, është rasti i Stenaldos, Unikut e Leotrimit, ai që na jep një mësim shumë të mirë, që qenie humane është e krijuar të “mbijetojë” është përballë sfidave më të rënda , dhe se “lukset” e përditshmërisë, janë vetëm detaje të vogla të jetës. /Telegrafi/

Leave a Reply