Shtuni: Kosova duhet të jetë më e matur në veprime

0
104

Lidershipi kosovar nuk po tregon mençuri në trajtimin e raporteve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Kështu deklaron në një intervistë për Radio Kosovën Adrian Shtuni, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve të sigurisë. Deri sa thotë se nuk ka lëkundje të raporteve ndërmjet dy vendeve, ai  mendon që Kosova duhet të shohë drejt të ardhmes.

Deklaratat e fundit e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar, për Qeverinë e Kosovës, Adrian Shtuni, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve të sigurisë, i quan shqetësuese. Ai thotë se nuk ka lëkundje të raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, por se Kosova duhet të jetë më e matur në veprimet e veta.

 “Kjo nuk është mënyra e duhur për të vazhduar përpara, sepse qëllimi nuk është thjesht që BE-ja ose SHBA-ja të luajnë rolin e zjarrfikësit, por duhet të ketë maturi në Ballkan, sidomos në Kosovë që të shikohet drejt të ardhmes, sepse sjelljet e vazhdueshme kokë më vete, kanë sjellë humbje të kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe kanë sjellë stagnim”, theksoi ai.

Duke folur për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Adrian Shtuni thotë se asociacioni nuk është pushtet ekzekutiv. Shtuni thotë se draft statutin e marrëveshjes së fundit të arritur ndërmjet dy vendeve, Qeveria e Kosovë, duhet ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim.

”Në këtë moment draft statuti duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim, nëse gjykata thotë se ka elemente që nuk janë në përputhje me kushtetutën, atëherë duhet të ketë një procedurë e cila duhet t’i sanojë problemet, por nuk mund të barikadohesh në këtë mënyrë, siç po barrikadohet qeveria Kurti dhe të mos kryejë detyrat e shtëpisë”, tha ai.

Eksperti i  marrëdhënieve ndërkombëtare me seli në Uashington, Adrian Shtuni,  thotë se në prag të 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, cilësia e partneritetit  të Kosovës me SHBA-në, por edhe me vendet e QUINT-it, është cenuar.

 “25 vjet më parë, nën udhëheqjen e SHBA-së, NATO kreu bombardimet ndaj Jugosllavisë, dhe këtë e bëri për t’i dalë në mbrojtje popullit të Kosovës. Duke u nis nga kjo premisë, partneriteti SHBA-Kosovë, por edhe vendeve të tjera të NATO-së, është jo vetëm partneritet strategjik, por për mendimin tim, është partneritet jetësor. Fatkeqësisht, kohëve të  fundit cilësia e partneriteti strategjik Kosovë-SHBA dhe sigurisht edhe me vendet e tjera të QUINT-it, është cenuar prej qasjes jo bashkëpunuese të Qeverisë së Kosovës“, deklaroi Shtuni.

Leave a Reply