Rreth 11 mijë persona e kanë humbur vendin e punës, gastronomët thirrje Qeverisë për lirimin e masave

0
372

Shoqata e Gastronomëve e Kosovës thotë se diku rreth 11 mijë punëtorë e kanë humbur vendet e punës në këtë sektor si pasojë e pandemisë.

Arian Vranica, zyrtar i kësaj shoqate në një intervistë tha se gjendja e sektorit të gastronomisë është mjaft shqetësuese ku sipas tij 89% e bizneseve kanë punuar me humbje të thellë.

“Gjendja e sektorit të gastronomisë deri tani është mjaft shqetësuese, sipas raportimeve dhe hulumtimeve të realizuara nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ne kemi 89% të bizneseve që kanë punuar me humbje të thellë deri në tetor të vitit 2020 ku 11% prej tyre kanë qenë të vetëm që kanë mundur të kenë një lloj rentabiliteti”, tha Vranica.

Sipas tij nëse do të vazhdojë kjo situatë dhe pa përkrahje vetëm 2% e tyre do mund të mbijetonin pa ndihma ndërsa 13% prej tyre do falimentonin.

Vranica tregoi edhe publikimet e disa të dhënave, ku më shumë se 64% kanë pasur rënie.

“Duke i konstatuar të dhënat publike kemi pasur më shumë se 64% rënie dhe kjo është mjaft sfiduese për ne, sidomos duke pasur parasysh edhe mosmbështetjen me politikat fiskale. Pastaj kemi edhe Paketën e rimëkëmbjes ekonomike e cila zgjati më shumë se 5 muaj”, u shpreh Vranica.

Ai tha se nuk është e nevojshme të vazhdohet me të njëjtat masa pasi numri i infeksionit ka rënë dukshëm.

“Numri i infeksionit ka rënë dukshëm, këto nuk përbëjnë asnjë arsye më shumë që të vazhdohet me të njëjtat masa, mirëpo duhet të jemi më konstruktivë drejt lirimit të masave dhe tejkalimit të kësaj krize me pasoja sa më të vogla”, tha midis tjerash Vranica.

Ai madje thekson faktin që nuk ka pasur diçka konkrete dhe nga Qeveria nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

I pyetur për kërkesat e tyre dhe mundësinë e ndonjë proteste Vranica tha se kërkesat e tyre nuk do t’i ndalin.

“Kërkesat tona nuk do t’i ndalim. Presionin do ta rrisim tani më edhe me vaksinimin e shumicës se vendeve të BE-së, duhet të kemi përgjigje pozitive dhe sa më shpejt të hyjë në fuqi edhe Ligji mbi dëmet buxhetore”, theksoi ai.

Në bazë të statistikave të tyre ata konstatuan që më shumë se 42% të bizneseve që kanë raportuar që kanë larguar punëtorë nga puna.

Leave a Reply