Taulant Xhaka ka reaguar në mbështetje të vëllait të tij, Granit Xhakës, pas kritikave të shumta ndaj kapitenit të Zvicrës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Taulanti ka thënë se gabimet janë pjesë e futbollit dhe se askush nuk është i pagabueshëm.
Ai ka kërkuar që kontributi i Granit Xhakës për Kombëtaren e Zvicrës ndër vite të mos harrohet.
“Mos harroni kurrë atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka dhënë ndër vite për Zvicrën. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe për këtë fanellë”, ka shkruar Taulanti.
Ai u është drejtuar edhe gazetarëve dhe kritikëve, duke theksuar se të gjithë njerëzit bëjnë gabime.
“Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj. E rëndësishme nuk është që një njeri të bëjë gabim, por të qëndrojë pas tij, ta pranojë dhe të nxjerrë mësime”, thuhet në mesazhin e tij.
Në fund, Taulanti i ka shprehur publikisht mbështetjen vëllait të tij.
“Vëlla, jam krenar për ty. Kam qëndruar pas teje, qëndroj pas teje dhe gjithmonë do të qëndroj – çfarëdo që të ndodhë. Familja mbetet familje, në ditë të mira dhe në ditë të vështira.”
Reagimi i Taulant Xhakës vjen pasi Granit Xhaka pranoi se kishte blerë një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19.
















































