Shumë prindër janë në dilemë a duhet të kriposin ushqimin të cilin e përgatisin për foshnjën e tyre, sepse frikësohen se mos bëhet ushqimi i njelmët dhe foshnja për këtë mund të mos e hajë.
Një sasi e vogël e kripës mund t’i shtohet ushqimit, megjithëse nuk ka nevojë për të, sepse nuk do të thotë që foshnja do ta hajë ushqimin që e keni përgatitur për të.
Prej muajit të tetë, mund t’i shtoni melmesa nëse dëshironi t’i shtoni shije ushqimit. Gjithashtu, vogëlusheve iu pëlqen shija e jogurtit apo kosit; nëse dëshironi, mund t’ia shtoni puresë nga perimet.
A mund të jetë i rrezikshëm ushqimi me kripë për foshnja?
Foshnjat e kanë organizmin të ndjeshëm, ndërsa veshkat janë më të ndjeshme dhe ende nuk mund ta përpunojnë sasinë e madhe të kripës. Sasia e madhe e kripës në perime, qumësht apo ushqim mund të dëmtojë veshkat. Kjo mund të shkaktojë shtypjen e lartë të gjakut, sidomos nëse dikush në familje ka probleme me hipertension.
Çfarë sasie e kripës lejohet të konsumohet brenda ditës?
Shmangni kriposjen e ushqimit të cilin e përgatisni vetëm për fëmijën. Në gjashtë muajt e parë të jetës, foshnjës i mjafton më pak se 1 g kripë, të cilën e merr nga qumështi i nënës apo ushqimi i gatshëm. Në muajt 7 dhe 12 mjafton 1 g kripë, përderisa fëmijët nga 1 gjer në 3 vjeç kanë nevojë për më pak se 2 g kripë në ditë.
Nëse përgatitni ushqim i cili piqet në furrë, sasia e përgjithshme për tërë ushqimin do të duhej të përmbante në mes të ¼ së lugës së kafesë dhe një luge supe. Për supat dhe ushqimet e ziera, sasia e lejuar është ¼ gjer në 1 lugëz të kafesë, natyrisht për tërë ushqimin, sepse nuk duhet asnjëherë që fëmijës t’i kriposni ushqimin në veçanti.
Gjithashtu, nëse përgatitni për vogëlushin pure apo sallatë nga perimet, nuk keni nevojë t’i shtoni kripë.
Burimet e fshehta të kripës në artikujt ushqimorë
Që të mbetet sasia e kripës në limite të caktuara, duhet t’i shmangeni kriposjes së ushqimit të cilin e përgatitni për fëmijët dhe të limitoni sasinë e gjërave ushqimore të cilat përmbajnë sasi të madhe të kripës dhe për këtë nuk jemi të vetëdijshëm.
Disa nga këto gjëra ushqimore janë: supat dhe pastat e gatshme, picat, delikatesat e yndyrshme, sallamet, ushqimi i detit, djathërat, grickat (shkopinjtë, krakeret, çipsat), ushqimet instante (drithërat, orizi, knedlat), pure domatesh…
Mbani në mend që të kontrolloni dhe të lexoni gjithmonë etiketat se çfarë përmbajtjesh dhe melmesash kanë.
A mund të jetë sheqeri përbërës i ushqimit për foshnja?
Pas vitit të parë të jetës mund t’i shtoni sheqer ushqimit të fëmijës dhe mund t’i jepni ëmbëlsira. Si fillim, jepini pemë dhe prodhime nga pemët, marmelata, xhem, mundësisht të përgatitura në shtëpi, që nuk përmbajnë koncentrate, aditivë, konservansë, ngjyra…
Pas vitit të parë, si zëvendësim për sheqerin e bardhë mund ta përdorni edhe mjaltin nëse përgatitni ëmbëlsira shtëpiake.
Çfarë sasie të sheqerit lejohen?
Për fëmijën nga 1 gjer në 3 vjeç lejohet sasia e sheqerit prej 4 g (1 lugë supe), ndërsa për fëmijët nga 3 gjer në 6 vjeç, 5 g. Përdorimin e ëmbëlsirave, çokollatave, biskotave dhe të ngjashme duhet ta limitoni në 10 g në ditë për fëmijët nga 1 gjer në 3 vjeç, gjegjësisht 15 g për fëmijët nga 3 gjer në 6 vjeç.
A është sheqeri i dëmshëm për foshnjën?
Ëmbëlsirat krijojnë kariesin, ndërsa më vonë edhe trashësinë. Fëmijët nuk kanë nevojë për ëmbëlsira sikurse të rriturit; për këtë, më mirë është që të mësohen me shijen e pemëve, lëngjeve natyrale dhe gjërave të cilave nuk duhet shtuar sheqer, sepse nga ëmbëlsirat e këndshme mund të refuzojë të hajë “ushqim të duhur”.
Sheqerin do të duhej ta shmangni nga ushqimi i fëmijës sa të jetë e mundur, sepse kjo mund t’i shkaktojë prishjen e dhëmbëve (kariesin), ndërsa më vonë edhe trashësinë. Në vend të çokollatave, më mirë përgatitini një enë me pemë të ndryshme, e cila do t’ia kënaqë nevojën për shijen e ëmbël.
Burimet e fshehta të sheqerit
Duhet të keni kujdes të veçantë se çfarë gjërash ushqimore blini, ashtu që të limitoni konsumimin e sasisë së madhe të sheqerit, sepse disa gjëra ushqimore përmbajnë ëmbëlsues shtesë.
“Sheqeri i fshehur” gjendet në disa lëngje të ëmbla, në lëngje të gazuara, jogurtet për fëmijë, jogurtet e frutave, qumështin me çokollatë, puding.
(bebaime)















































