Kylian Mbappé është rikthyer të flasë për garën për “Topin e Artë”, pas deklaratave të tij të fundit që shkaktuan diskutime dhe raportohet se kishin bezdisur edhe Ousmane Dembélén.
Sulmuesi i Real Madridit, i grumbulluar me Kombëtaren e Francës, ka zgjedhur këtë herë të mos e ushqejë më tej debatin.
Gjatë një aktiviteti të organizuar nga sponsori i tij teknik, ON, Mbappé deklaroi:
“Mendoj se kam thënë tashmë gjithçka për këtë çështje. Njerëzve nuk u pëlqen që flas shumë për të, por kështu është. Jam i qetë, kam bërë gjithçka që mundesha dhe mendoj se kam bërë mirë. Tani mbetet vetëm të presim”.
Pak ditë më parë, francezi kishte shpjeguar edhe një herë ambiciet e tij për çmimin prestigjioz individual.
“Topi i Artë është një objektiv për çdo futbollist, por nuk besoj se është një obsesion. Në zarf nuk do të shpallet një skuadër, por një lojtar”.
Mbappé kishte theksuar edhe statistikat e tij:
“Kam qenë golashënuesi më i mirë në të gjitha kompeticionet kryesore dhe mendoj se ky mund të jetë një vit i mirë për mua”.
Ndërkohë, ai kishte mbrojtur edhe deklaratën e mëparshme, e cila shkaktoi shumë reagime:
“Gjithmonë kam qenë i zgjedhuri. Nuk ka pasur askush më të mirë se unë sezonin e kaluar”.
“Nuk kam dashur kurrë t’ju pëlqej të gjithëve, sepse kjo nuk është e mundur. Nuk mund të jem një person tjetër. Përpiqem të jem vetvetja, me cilësitë dhe të metat e mia, me fitoret dhe dështimet e mia”.
Tani, vëmendja e Mbappés është te Kombëtarja e Francës dhe sfidat e para nën drejtimin e Zinedine Zidane./04 Online/














































