Prizren, shtyhet përsëri gjykimi ndaj gjeodetëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar

0
389

Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të pandehurve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, të cilit po akuzohen se në cilësi të gjeodetëve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Shkak i mos mbajtjes së këtij gjykimi ishte mungesa e palës së dëmtuar dhe mbrojtësit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha njoftoi palët se nuk është prezent pala e dëmtuar, për të cilin tha se gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Po ashtu, nuk ishte prezent edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Pjetër Përgjoka, për të cilin gjykatësja Krusha tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se është në një gjykim tjetër në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Lidhur me këtë, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se për kërkesën nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Përgjokaj, për  shtyrjen e kësaj seance,  e lënë në vlerësim të gjykatës.

Të akuzuarit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj u deklaruan se e mbështesin fjalën e prokurorit Sefa.

Pas këtyre, gjykatësja Krusha mori aktvendim që seanca e sotme të shtyhet për 09 dhe 10 mars 2021, duke filluar nga ora 10:00.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç ‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të pandehurën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply