Osmani: Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë, terroristët t’i dorëzohen Kosovës

0
106

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, në një takim të cili u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Presidentja Osmani ka ritheksuar se ky akt i agresionit është organizuar nga Serbia, dhe ka informuar lidhur me dëshmitë e saj të mbështetura nga institucionet e sigurisë të Kosovës.

Ajo ka vlerësuar përpjekjet e Kosovës për zbatimin e ligjit, në kundërshtim me veprimet e Serbisë, ku, sipas saj, Qeveria e Aleksandër Vuçiçit nuk ka ndërmarrë masa për arrestimin e anëtarëve të grupit terrorist dhe paramilitar, por i ka ofruar mbështetje dhe i ka glorifikuar ata.

“Senatorët Shaheen dhe Welch, i informova për rrjedhën e ngjarjeve, dëshmitë e si guruara nga institucionet tona të Sigurisë , si dhe hapat që Republika e Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët e saj po ndërmerr për t’i tejkaluar sfidat e sigurisë nga ky akt agresioni i Serbisë. Natyrisht që synime të tilla dashakeqe të Serbisë, nuk mjaftohen vetëm me Kosovën, por janë paralajmërim i qartë se Serbia duke shërbyer si satelit i Rusisë, ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Osmani.

“Kosova ka treguar seriozitet nëpërmjet veprimeve ligjzbatuese, kurse në Serbi e kemi parë të kundërtën, ku regjimi i Vuçiqit, jo vetëm nuk arreston anëtarët e grupit terrorist e paramilitar, por ka vendosur që atyre t’u ofrojë mbështetje blanko dhe t’i glorifikojë ata”, ka deklaruar tutje ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar se një hap i rëndësishëm për të parandaluar akte të tilla të ardhshme të agresionit është që Serbia të mbahet përgjegjëse për këto veprime dhe të dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës për t’u përballur me drejtësinë e Kosovës.

Ajo po ashtu kërkoi rritjen e garancave të sigurisë për kufirin Kosovë-Serbi për të parandaluar sulmet e tilla në të ardhmen.

“Prandaj gjëja më e rëndësishme në këtë moment, në mënyrë që të parandalohen akte të tilla agresioni në të ardhmen, që do ta destabilizonin tërë rajonin tonë, është që Serbia ta mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit, t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që të përballen me sistemin tonë të drejtësisë si dhe të rriten garancat e sigurisë në raport me Kosovën, që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, ka deklaruar Osmani.

Leave a Reply