Kryeprokurori i Shtetit viziton Prokurorinë në Prizren, diskutohet mungesa e prokurorëve dhe vonesat e ekspertizave

0
67

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vizituar të premten Prokurorinë Themelore në Prizren, ku ka diskutuar me prokurorët për rezultatet e punës, ngarkesën me lëndë dhe sfidat që ndikojnë në efikasitetin e trajtimit të rasteve penale.

Gjatë vizitës, Gashi u prit nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, së bashku me stafin e tij. Kryeprokurori i Shtetit shoqërohej nga zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi.

Në fokus të diskutimeve ishin mungesa e prokurorëve, ngarkesa me lëndë dhe vonesat në kryerjen e ekspertizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF), të cilat ndikojnë në efikasitetin e trajtimit të rasteve penale.

Lidhur me këtë çështje, Gashi bëri të ditur se shqetësimet për vonesat e ekspertizave i ka adresuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke shprehur pritjen që këto probleme të marrin trajtimin e duhur institucional.

Kryeprokurori gjithashtu i njoftoi prokurorët për veprimet e ndërmarra që nga emërimi i tij, me synim përmirësimin e cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit, si dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve.

Në përfundim të takimit, Gashi kërkoi profesionalizëm dhe rezultate të matshme në trajtimin e rasteve penale, duke ofruar mbështetje profesionale dhe institucionale për prokurorët në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.