Osmani e prerë në takimin me Presidenten e KE-së: Ritheksova nevojën e heqjes së masave të BE-së

0
105

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar për takimin me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ku tha se i ka ritheksuar “nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës”.

Osmani gjithashtu tha se ka theksuar “rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim të BE-së”.

“Në takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ritheksova nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, derisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim të BE-së, si sinjal i qartë që vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE. Mirëpresim ‘Planin e Rritjes’, të prezentuar nga Presidentja Von der Leyen, për të cilin Kosova tashmë ka prezentuar planin konkret për reforma.” – tha Osmani.

Ndryshe, nga Brukseli presidentja Osmani tha po ashtu se “Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës”.

Më 13 dhjetor në Bruksel po mbahet samiti i rregullt vjetor i liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.

Osmani tha se “do t’i informoj sot liderët evropianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim”.

“Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”, ka thënë ajo.

Leave a Reply