Negociatat e 14 shtatorit – zbardhet agjenda e takimeve në Bruksel

0
168

Kur kanë mbetur edhe dy ditë prej kur pritet të ndodh takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq është zbardhur agjenda e negociatave në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel të enjten, në ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç ka njoftuar BE-ja të martën, takimi trepalësh do të mbahet pas takimeve që Borrelli e Lajçaku do të kenë ndaras me liderët e të dyja shteteve.

Në komunikatë bëhet e ditur se takimet do të nisin në orën 9 të mëngjesit, e pas takimeve bilaterale, do të jetë takimi trepalësh.

“Takimi do të jetë i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftim.

Pas takimeve do të ketë deklaratë për media nga Borrelli.

Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Kryetarët e rinj shqiptarë që dolën nga këto zgjedhje po kundërshtohen nga serbët lokalë. Hyrja e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit, rriti tensionet të cilat u përshkallëzuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, pas përleshjes së protestuesve serbë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime.

Së fundi, Kosova ka paraqitur një udhëzim administrativ që u mundëson qytetarëve të largojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Kosova po ashtu po kërkon që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit që arriti me Serbinë në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.

Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Kosova kërkon që në fund të procesit të arrihet një marrëveshje ku do të përfshihej edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi-pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Leave a Reply