“Natyra e egër” me imazhet e botës së pastër nga viset shqiptare

0
260

Ekspozita me fotografitë e Liridon Shalës vjen te publiku si një rrëfim për natyrën e egër, një botë e pastër visesh shqiptare. Dominojnë fotografitë e shpezëve të egra. Prezantimi i kësaj përmbledhjeje, në ceremoninë e hapjes të dielën mbrëma në Prizren, është vlerësuar nga folësit në hapjen e ekspozitës, duke e vlerësuar si një vlerë të re për Prizrenin dhe traditën e tij të fotografisë.

Profesori universitar nga Shkupi, Burhan Ahmeti, ka vlerësuar se kjo ekspozitë dallon nga ekspozitat e tjera të fotografisë, ngase aty prezantohen momente të bukura në natyrën e trojeve shqiptare.

“Këtu shohim fotografi të mrekullueshme nga Liridon Shala, i cili nuk e ka kursyer asnjë moment gjatë lëvizjeve të veta të qëllimshme apo të paqëllimshme, apo të rastësishme, me fokusin e tij fotografik ka arritur që ato momente të bukura t’i sjellë këtu para nesh”, ka thënë Ahmeti.

Madje ai ka shtuar se ky është pasqyrim i botës së pastër nga viset shqiptare.

“Pra, unë do të thosha bota e pastër nga viset shqiptare, jo bota e egër, pasi që këto shpezë janë do të thosha hyjnore. Fjala egërsirë sikur nuk u shkon këtyre shpezëve, pasi që sidomos relacioni me fotoaparatin dhe me këto shpezë të bukura, me këtë botë të mrekullueshme, është një relacion jashtëzakonisht i këndshëm, i mirë dhe i pastër. Kështu që këtë pastërti është munduar të na e sjellë këtu në mesin tonë me këtë ekspozitë, me këtë laramani kompozionesh, ku diku i hasim detaje të cilat nuk i kemi parë asnjëherë”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se Prizreni i njohur tashmë për traditën dhe kulturën e tij po pasurohet edhe me fotografë si Liridon Shala, që botën e shohin me syrin e artistit.

“Edhe fotografia është art. Edhe këtë më së miri e dëshmojnë të gjitha këto fotografi që po i shohim, që me të vërtetë janë një vlerë dhe e dëshmojnë se syri i artistit me të vërtetë e sheh botën ndryshe. Mirëpo për me e paraqit atë që e sheh ndryshe duhet edhe teknologjia. Në bazë të kualitetit të fotografisë këtu po vërehet se ka pasur edhe pajisje teknologjike, aparaturë të mirë dhe kanë dalë fotografi të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Në anën tjetër fotografi Liridon Shala ka bërë të ditur se për këtë ekspozitë ka përzgjedhur rreth 40 fotografi që ka realizuar në viset shqiptare për një kohë të gjatë.

“Natyrisht i kam përzgjedh disa më të bukurat që mua më kanë pëlqyer. Nuk kanë qenë të lehta t’i realizoj, por as e lehtë të vij deri te ekspozita, gjë që më ka marrë shumë kohë dhe kam pasur edhe shpenzime normalisht. Edhe një falënderim dua t’ia bëj familjes që më kanë kuptuar se ua kam humbur vikendet gati shumë shpesh”, ka thënë ai.

Ekspozita me fotografitë e natyrës së egër të realizuara nga Liridon Shala do të jetë e hapur për publikun deri më datën 28 dhjetor në hapësirat e librarisë “Altera” në Prizren./Koha.net

Leave a Reply