NATO – Kosovës, konsensusi i domosdoshëm për pranim në Partneritet për Paqe

0
225

Zyrtarët e NATO-s kanë porositur se të gjitha vendimet e aleancës, duke përfshirë dhe anëtarësimin në Partneritet për Paqe – merren me konsensus nga ana e organit vendimmarrës .– Këshillit Veriatlantik.

Kështu janë përgjigjur zyrtarët e aleancës në lidhje me paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se qeveria të cilën ai e udhëheqë planifikon aplikimin në Partneritet për Paqe.

Këtë pohim, Kurti e ka përforcuar pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholtz, gjatë vizitës në Berlin më 4 maj, 2022.

NATO numëron 30 anëtarë nga të cilat, katër shtete nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Për anëtarësimin eventual në Partneritet për Paqe i domosdoshëm është miratimi i të gjitha shteteve anëtare.

Nga ana tjetër zyrtarët e NATO-s  deklarojnë se aleanca është e përkushtuar plotësisht ndaj sigurisë së Kosovës dhe se misioni I KFOR-it vazhdon të funksionojë konform Rezolutës 1244

“Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët. Përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ne gjithashtu vazhdojmë të kryejmë aktivitetet tona për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë së Kosovës, brenda mandatit të tyre fillestar”, nënvizohet në përgjigjen e marrë nga selia e NATO-s.

Aleanca gjithashtu thekson se mbështetë plotësisht dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme politike për të dy palët dhe për rajonin më të gjerë, teksa cilësohet se kjo është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale.

Partneriteti për Paqe është një program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet vendeve individuale partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ai i lejon partnerët të ndërtojnë një marrëdhënie individuale me NATO-n, duke zgjedhur prioritetet e tyre për bashkëpunim.

Për anëtarësim të plotë në NATO nevojitet fillimisht anëtarësimi në Partneritet për Paqe.

Nga ana tjetër, Partneriteti për Paqe nuk obligon anëtarësimin ne NATO. Ka shumë shtete sikur, Austria, Suedia, Finlanda apo Serbia, që janë në Partneritet për Paqe por nuk aspirojnë anëtarësimin e plotë në aleancë. Megjithatë në dritë të luftës në Ukrainë, Suedia dhe Finlanda që deri së voni janë konsideruar shtete neutrale, kanë paralajmëruar mundësinë e ndryshimit të neutralitetit dhe anëtarësimit në paktin veriatlantik./RTK

Leave a Reply