Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në takim pune përfaqësues të Ambasadës Britanike në Kosovë.
Në njoftimin e ambasadës theksohet se diskutimet kanë qenë mbi luftimin e kontrabandimit të migrantëve, pastrimit të parave dhe formave tjera të krimit të organizuar, shkruan Reporteri.net.
“Ekipi ynë u takua sot me Kryeprokurorin e Prizrenit. Ishte një diskutim inkurajues dhe me vlera të rëndësishme mbi luftimin e kontrabandimit të migrantëve, pastrimit të parave dhe formave të tjera të krimit të rëndë të organizuar. Ne e vlerësojmë përkushtimin e Kryeprokurorit në trajtimin e këtyre sfidave komplekse dhe presim me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë për të forcuar luftën kundër krimit ndërkufitar”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Për takimin ka njoftuar edhe Sistemi Prokurorial.
“Kryeprokurori Kryeziu, theksoi përkushtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren në luftën kundër krimit të organizuar dhe nevojën për forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve hetimore, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete në parandalimin dhe ndjekjen e këtyre formave të kriminalitetit. Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me partnerët ndërkombëtarë, si dhe u ritheksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e mekanizmave të përbashkët të hetimit”, thuhet në njoftim./Reporteri.net















































