Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur për debatin rreth futbollistit më të mirë në historinë e kombëtares helvetike. Ndonëse shumë legjenda të futbollit zviceran e konsiderojnë pikërisht atë si më të mirin, mesfushori me prejardhje shqiptare ka zgjedhur të mos veçojë asnjë emër, transmeton albinfo.ch.
Xhaka ka thënë se vlerësimet nga ish-lojtarët dhe bashkëlojtarët kanë një rëndësi të veçantë për të dhe i japin motivim për të vazhduar me sukseset në karrierë.
“Sigurisht, do të thotë shumë për mua. Ta dëgjosh këtë nga ish-lojtarët dhe shokët e ekipit është gëzim. Më jep motivim dhe vullnet për të arritur diçka të madhe përsëri”, ka deklaruar ai për “Blue Sport”.
Megjithatë, kur u pyet se kë do ta zgjidhte si lojtarin më të mirë të Zvicrës, Xhaka refuzoi të japë një emër të vetëm.
“Ka shumë lojtarë të mirë që kanë luajtur gjatë periudhës sime. Është e vështirë të zgjedh një. Nuk jam adhurues i çmimeve individuale, por më tepër një lojtar që mendon për ekipin”, u shpreh ai.
Ndër legjendat e futbollit zviceran që e kanë cilësuar Xhakën si lojtarin më të mirë në historinë e kombëtares janë Dominique Herr, Erni Maissen, Alexandre Rey, Karl Engel, Sani Gygax dhe Admir Mehmedi.















































