Kurti pranoi draftin evropian për Asociacionin, Rama: Hap i vonuar por i duhur, shenjë që Albini po bëhet kryeministër

0
122

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë një koment për “kthesën” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili ka pranuar të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, që garanton zbatimin e tyre, që përfshin edhe draftin evropian për Asociacionin.

Rama tha se Kurti ka bërë një hap të vonuar por të duhur. Me pranimin e draftit sipas Ramës, Kurti ka treguar se po bëhet kryeministër.

“Albini ka bërë një hap të vonuar por të duhur. Por më e rëndësishme se vonesa është fakti që ka bërë hapin e duhur. Unë e kam përgëzuar që në momentin e parë. Është e rëndësishme që Kosova të jetë aktive, të jetë ajo që e avancon procesin drejt marrëveshjes përfundimtare sepse është e fituara e madhe e kësaj marrëveshje. Çështja është me sa kosto. Çështja është pse duhet marrë kosto për diçka që e para është në dorën tënde”, tha Rama në Report Tv.

I pyetur pse tani kjo kthesë e Kurtit, Rama ka thënë se ajo që Kurti tani ka bërë duke pranuar këtë draft është shenjë se “Albin Kurti po bëhet kryeministër”.

“Nuk është puna ime të bëj analiza të tilla. Kryeministër bëhesh kur bëhesh dhe jo kur zgjidhesh. Ajo që ka bërë Albini duke pranuar atë draft është shenjë që Albini po bëhet kryeministër”, tha Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  edhe gjatë ditës së djeshme ka përsëritur se draft-statuti për Asociacionin që i është prezantuar Kosovës më 2i tetor është më i avancuari deri sot.

Kurti tha se ritheksoi se dallimi kryesor është korniza, është themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet, dhe për këtë arsye, thotë ai, “edhe unë kam thënë se është i pakrahasueshëm me të tjerët, që përafroheshin në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015 dhe ku në fakt nuk kishte barazi midis palëve”.

“Unë nuk mund ta pranoj asnjëherë akuzën për zvarritje. Kosova ka qenë konstruktive, kreative e përkushtuar prej fillimit. Unë kam thënë le të nënshkruajmë me 27 shkurt në Bruksel, kam thënë le të nënshkruajmë me 18 mars në Ohër dhe tash së fundmi le të nënshkruajmë me 26 tetor në Bruksel. Unë nuk zvarris kurrë. Mua kur mu tha që është e rëndësishme të bëhet sa më shpejt normalizimi, unë thash le ta bëjmë sonte. Pra, edhe marrëveshja bazike, edhe aneksi i zbatimit, po e fusim edhe këtë draft statut, përkundër vërejtjeve të mija, por ato le të nënshkruhen sepse unë konsideroj që vetëm nënshkrimi është garancion për pranim të marrëveshjes që më pastaj edhe zbatohet”, shtoi tutje Kurti. /Reporteri

Leave a Reply