Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media, ka thënë se ka dështuar mundësia e shpërndarjes së Kuvendit, si rrugë për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Ai tha se tri opsione janë për zgjedhje të parakohshme “mocioni i mosbesimit të Qeverisë, dorëheqja e kryeministrit dhe shpërndarja e Kuvendit”.
Për opsionin e parë Krasniqi tha se e mbështet kur janë 61 vota, ndërsa për të dytin tha se varet nga Kurti, “jo nga ne”.
“[Kurti]E ka bërë të qartë që nuk do të japë dorëheqje”.
Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, Krasniqi bëri të ditur se është takuar me krerët opozitarë, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn, dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.
“Ne kemi dashur që t’ia shkurtojmë mandatin kësaj qeverie tetë muaj më herët. Mendoj që edhe tetë ditë më herët me përfundu këtë qeveri është në dobinë e vendit dhe qytetarëve tanë. Andaj në të ardhmen, kushdo që mund të ketë ndonjë iniciativë që e sjellë një mundësi për zgjedhje të parakohshme, PDK është konsistente në qëndrimin e vet. Për sa i përket qëllimit tonë, ju e dini, e kam bërë tashmë të qartë, preferenca ime dhe e PDK-së, ka qenë që mocionin për shpërndarjen e kuvendit ta bëjnë partitë opozitare sepse kjo ka qenë logjika, pritshmëria, ka qenë e natyrshme dhe takimin e parë, për këtë çështje e kam zhvilluar me z. Abdixhiku, të dytin me z. Haradinaj, tek më pas e kam takuar z. Konjufca e në fund ka ardhë ftesa e kryeministrit Kurti. Të gjithëve ua kam bërë të qartë, siç ua kam bërë të qartë juve, që e kam thënë vazhdimisht, por arsyet e tyre janë arsyet e tyre e vërteta është që sot në këto momente kemi mundur të jemi duke e shpërnda Kuvendin, por nuk po e bëjmë një gjë të tillë se s’kemi gjetur mbështetje të mjaftueshme nga partitë tjera opozitare”, tha ai mes tjerash.