Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, më 26 dhe 27 tetor 2026, mori pjesë në Konferencën Rajonale të Gjyqësorit, me temën “Nga teoria në praktikë: Vënia në funksion e reformave në drejtësi në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, e cila u mbajt në Budva të Malit të Zi.
Në këtë konferencë u mblodhën përfaqësues të lartë të këshillave gjyqësorë dhe prokurorialë, gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë të tjerë të drejtësisë nga rajoni, për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira, si dhe për të diskutuar sfidat që paraqiten gjatë zbatimit të reformave në sistemet e drejtësisë.
Në kuadër të konferencës, Kryeprokurori Petrit Kryeziu mori pjesë edhe si panelist, duke kontribuar në diskutimet profesionale lidhur me zbatimin e reformave në drejtësi, me theks të veçantë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Konferenca u organizua në kuadër të Projektit Rajonal të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Monitorimin e Gjykimeve në Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, pas publikimit të raportit të dytë publik rajonal të këtij projekti.
Diskutimet u përqendruan në zbatimin praktik të reformave institucionale, përgjegjësinë për rezultatet, pavarësinë dhe llogaridhënien, si dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale, me synim arritjen e rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pjesëmarrja e Kryeprokurorit Petrit Kryeziu në këtë konferencë rajonale kontribuoi në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe në trajtimin e sfidave të përbashkëta në fushën e drejtësisë, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të praktikave për forcimin e sundimit të ligjit.














































