Komunitetet në Prizren kërkojnë që Komuna ta respektojë ligjin për përdorimin e gjuhëve

0
152

Zbatimi në praktikë i dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Komunën e Prizrenit, sipas komuniteteve joshumicë, ka nevojë për përmirësim të dukshëm. Ata kërkojnë që shqetësimet e adresuara të gjejnë zgjidhje, derisa Komuna është zotuar që t’i respektojë të drejtat gjuhësore.

Pjesëtarët e komuniteteve që jetojnë në Komunën e Prizrenit ende kanë vërejtje sa i përket zbatimit në praktikë të dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas tyre, organet komunale ndonëse kanë adresuar disa çështje, megjithatë nuk kanë bërë mjaftueshëm për respektimin e të drejtave gjuhësore.

Gjatë diskutimit rreth zbatimit të dispozitave të ligjit për përdorimin e gjuhëve, anëtarët e Komitetit për Komunitete kanë theksuar se nuk është në rregull që shqetësimet e kësaj natyre të jenë prezentë edhe 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

“Ende merremi me çështjen e përdorimit të gjuhëve. Mendoj se kjo është mjaft e papërgjegjshme. Nëse themi se jemi komunë shumetnike dhe jemi, ku jetojnë komunitetet e ndryshme e që kjo është begati, është, çdo ditë e themi këtë, si është e mundur të ketë ende këso lëshimesh. Pse nuk ka përgjegjësi?”, ka thënë Merxhan Osmani nga komuniteti boshnjak.

Bajrami nga komuniteti goran ka pohuar se një thirrje e publikuar nga Komuna për start-up’e, nuk ka qenë e përkthyer as në gjuhën turke e as në gjuhën boshnjake.

“Ka qenë e publikuar vetëm në gjuhën shqipe dhe normal ne si komunitet kemi qenë të diskriminuar në këtë aspekt”, ka thënë Bajrami.

Ertan Simitçi, kryesues i Komitetit për Komunitete, ka përkujtuar se edhe mbledhjet e këtij organi një kohë janë zhvilluar pa përkthim.

“Tash detyra jonë, përgjegjësia jonë si komitet, edhe si përfaqësues të komuniteteve të ndryshme është të ruajmë këtë standard, por edhe të japim një fuqi të arrijmë në 100 për qind, se mendoj se ka ende telashe në uebfaqe, ka ende telashe në zbatim”, ka thënë Simitçi.

Ymer Berisha, udhëheqës i Njësisë për komunikim me publikun, ka theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut është prioritet i Komunës së Prizrenit, teksa diversiteti është vlerë unifikuese në fuqizimin e demokracisë lokale, ku përfshihen edhe të drejtat gjuhësore.

Sipas statutit të Komunës së Prizrenit, në territorin e saj, gjuhë zyrtare aktualisht janë: gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha boshnjake dhe gjuha turke. Ndërsa gjuha rome me vendimin e vitit të shkuar të Kuvendit të Komunës është gjuhë në përdorim zyrtar.

Leave a Reply