Kanin: Perëndimi e do një kryeministër tjetër pasi e ka kuptuar se Kurti nuk dorëzohet para Asociacionit

0
204

Profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, David Kanin ka thënë se ka presion ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta ndryshuar pozicionin e tij rreth çështjes së Asociacionit, duke shtuar se Perëndimi do të donte një kryeministër tjetër të Kosovës.

I pyetur për vizitën dy ditore të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe mos-vizitën e tij në Serbi, Kanin tha se ky është një lloj presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Po, është. Askush nuk e do [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti. Nuk u pëlqen të merren me të. Lajçaku dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie të mira. Perëndimi, sigurisht, beson se Kurti është më shumë fajtor se [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, pavarësisht incidentit në Banjskë, të cilin mund ta diskutojmë. Ai i ka ndryshuar gjërat, është bërë pengesë për Vuçiqin, të cilit po i shkonte shumë mirë në aspektin diplomatik.

Sipas tij, Perëndimi e ka kuptuar se Kurti nuk do të dorëzohet para Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi ai e di se kjo do të ishte një krijim që do të funksiononte kundër sovranitetit të Kosovës.

“Ka presion mbi Kurtin për ta ndryshuar pozicionin e tij. Unë, sinqerisht, mendoj se Perëndimi do të donte ta hiqte qafe Kurtin, do të donte që dikush tjetër të ishte kryeministër. Perëndimi e ka kuptuar se ai nuk do të dorëzohet para Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse e di se do të ishte një krijim që do të funksiononte kundër sovranitetit të Kosovës – pa marrë parasysh se çfarë thotë Perëndimi. Dhe, sipas mendimit tim, ka të drejtë.

Kurti është nën këtë presion tash e një vit, apo më shumë. Por, mendoj se është e rëndësishme të kihet parasysh se e gjithë kjo, sa i përket propozimit franko-gjerman [Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] dhe zbatimit të marrëveshjes së 2013-ës [për Asociacionin], është pjesë e një modeli që daton nga viti 2006. Që atëherë, Perëndimi – fillimisht SHBA-ja, por pastaj SHBA-ja dhe evropianët – nuk ka arritur të dakordohet për statusin e Kosovës. Që atëherë, politika perëndimore nuk ka pasur sukses, ka pasur një sërë dështimesh. Dhe, me çdo dështim, aftësia perëndimore për ta imponuar atë që do, zvogëlohet.

Tutje, Kanin ka shtuar se megjithatë Perëndimi ka fuqi dhe ndikim dhe mund të vazhdojë të përpiqet që t’i shtyjë gjërat ashtu siç dëshiron.

“Siç e kemi parë që nga viti 2006, Perëndimi nuk ka qenë në gjendje të krijojë një status për Kosovën që është i pranuar botërisht, dhe veçanërisht i pranuar nga Serbia. Dy protagonistet nuk janë dakord me qasjen perëndimore dhe të dyja, në mënyrën e tyre, kanë mundur ta bllokojnë [procesin e normalizimit të marrëdhënieve] tash e sa dekada“, ka deklaruar ai për REL.

Leave a Reply