Drejtoria e Inspektoratit në Prishtinë ka marrë vendim që të ndalojë vënien në përdorim të objekteve që nuk e kanë kaluar Inspektimin Final dhe nuk janë pajisur me Certifikatë të Përdorimit.
Vendimi vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale dhe publike, si dhe për objektet e tjera që bëjnë pjesë në kategorinë e parë dhe të dytë sipas Ligjit për Ndërtim.
Sipas njoftimit, përdorimi i një objekti lejohet vetëm pasi organi kompetent të ketë kryer Inspektimin Final dhe të ketë lëshuar Certifikatën e Përdorimit, e cila dëshmon se ndërtimi është realizuar në përputhje me lejen ndërtimore, projektin e miratuar, standardet teknike dhe kërkesat e sigurisë.
Inspektorati ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht përmes urdhëresave inspektuese, me të cilat do të obligohen që të mos i vënë objektet në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet shfrytëzuesve dhe të mos lejojnë vendosjen e banorëve deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
Qytetarëve u është bërë thirrje që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa Certifikatë të Përdorimit, pasi një objekt i tillë nuk është verifikuar zyrtarisht nëse i plotëson kushtet ligjore dhe teknike për përdorim të sigurt.
Në rastet kur konstatohet se një objekt është vënë në përdorim në kundërshtim me ligjin, Inspektorati paralajmëron ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit, lirimin e objektit, shqiptimin e gjobave administrative dhe inicimin e procedurave të tjera ligjore.
“Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit nuk janë formalitete administrative. Ato janë mekanizma ligjorë përmes të cilëve verifikohet nëse objekti mund të përdoret pa rrezikuar jetën, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Drejtoria e Inspektoratit ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë përdorimin e asnjë objekti që nuk i plotëson kërkesat ligjore.















































