Largimi i Mohamed Salah nga Liverpooli, pas plot nëntë sezonesh të mbushura me suksese në “Anfield”, ka krijuar një sfidë të madhe për klubin në gjetjen e pasuesit të tij në krahun e djathtë të sulmit.
Me Andoni Iraolën tashmë në krye të ekipit, drejtuesit dhe stafi teknik janë duke analizuar opsionet për të mbushur boshllëkun e lënë nga reprezentuesi egjiptian. Megjithatë, për shkak të vështirësive në tregun e transferimeve, trajneri spanjoll po shqyrton seriozisht mundësinë që zgjidhjen ta gjejë brenda skuadrës aktuale.
Salah u nda me “Reds” në fund të edicionit të kaluar, duke i dhënë fund një epoke të jashtëzakonshme në të cilën fitoi çdo trofe të rëndësishëm dhe u bë një nga futbollistët më të mëdhenj që ka veshur fanellën e Liverpoolit. Zëvendësimi i tij mbetet një nga prioritetet kryesore të Iraolës.
Një nga emrat që ishte përfolur për këtë rol ishte sulmuesi i Paris Saint-Germain, Bradley Barcola. Megjithatë, negociatat duken pothuajse të pamundura, pasi kampioni francez nuk pranon ta lërë të largohet për më pak se rreth 145 milionë funte.
Një tjetër faktor që e komplikon këtë transferim është fakti se Barcola ndihet më komod në krahun e majtë, pozicion ku Liverpooli tashmë ka alternativa si Cody Gakpo dhe talentin premtues Rio Ngumoha. Për këtë arsye, përshtatja e tij në anën e djathtë nuk shihet si zgjidhja ideale.
Frimpong mund të marrë një rol krejtësisht të ri
Sipas mediave angleze, Iraola po mendon ta aktivizojë Jeremie Frimpongun në një rol më ofensiv, duke e zhvendosur nga mbrojtja në krahun e djathtë të sulmit.
Futbollisti holandez nuk pati një sezon të lehtë në debutimin e tij me Liverpoolin, pasi u përball me probleme fizike dhe nuk arriti të tregojë potencialin e plotë në repartin defensiv.
Megjithatë, brenda klubit vlerësojnë se cilësitë më të forta të Frimpongut lidhen me fazën sulmuese. Shpejtësia, depërtimet në hapësira dhe prirja për të sulmuar e bëjnë atë një kandidat interesant për një pozicion më të avancuar.
Plani i Iraolës është t’i heqë një pjesë të detyrave mbrojtëse dhe ta shfrytëzojë sa më shumë në fazën ofensive, në një rol që do t’i ngjante atij që Mohamed Salah mbajti për vite me radhë në krahun e djathtë.
Përveç Frimpongut, Liverpooli ka shtuar në skuadër edhe Víctor Muñoz si një tjetër opsion për atë pozicion. Megjithatë, drejtuesit e klubit janë të bindur se holandezi mund të jetë alternativa më e përshtatshme për të mbushur boshllëkun e madh që la pas largimi i Salahut.















































