Ibuprofen si karamele – futbolli dhe ilaçet për qetësimin e dhimbjeve

0
439

Hulumtimet e reja të mediave gjermane tregojnë se në ekipet gjermanë të futbollit marrja e pilulave për qetësimin e dhimbjeve është e zakonshme. Ky problem madje nuk është i ri.

Ilaçet kundër dhimbjeve përdoren gjerësisht në futbollin gjerman. Ky është rezultat i një viti hulumtimesh i gazetarëve që merren me dopingun në ARD dhe i rrjetit ivenstigativ Correctiv. Ekipi i gazetarëve investigues intervistoi më shumë se 150 lojtarë aktualë të Bundesligës, ish-lojtarë profesionistë, trajnerë, mjekë të ekipeve, shkencëtarë dhe zyrtarë në lidhje me marrjen e qetësuesve për dhimbje.

Njëri prej të intervistuarve ishte Neven Subotic. Mbrojtësi sqaron se nuk kemi të bëjmë me disa raste të pakta individuale. Ai tha se ekziston një sistem ” transferimi i presionit”. “Presioni kalon nga lart poshtë, nga njëri te tjeri dhe në fund presioni më i madh mbetet tek lojtari, i cili humbet më së shumti.” Sipas hulumtimeve futbollistët profesionistë marrin madje shpesh pilula edhe për profilaksi, pra edhe pse nuk kanë dhimbje akute.

Edhe në futbollin amator

Edhe futbollistët amatorë marrin ilaçe kundër dhimbjeve. Në një anketim jo përfaqësues të gazetarëve investigativë, 79 përqind e mbi 1.100 futbollistëve amatorë të anketuar iu përgjigjën pozitivisht pyetjes, nëse kishin përdorur qetësues kundër dhimbjeve gjatë karrierës së tyre. Këto shifra “shokuan” dhe Presidentin e DFB-së, Fritz Keller. Ai njoftoi se do të ndërgjegjësojë për këtë problem klubet dhe trainerët. Në fund të fundit, sporti amator “synon t’i mbajë njerëzit të shëndetshëm dhe të mos i dëmtojë ata”.

Presion ndaj futbollistëve

Ish-lojtari i kombëtares gjermane, Karlheinz Förster tha se dikur ishte e zakonshme që në rastin e dhimbjeve më të vogla të merrje Voltaren. Ai thotë se për shkak të lëndimeve gjatë lojës ka ende probleme me kyçin e këmbës. Sipas tij të gjithë synojnë që lojtari që dëmtohet gjatë ndeshjes të dalë sa më shpejt përsëri në fushë. Dhe mjekët e ekipeve u japin vazhdimisht medikamente qetësuese në vend që t’i lënë kohë trupit të rikuperohet.

Mjeku i ekipit në TSG 1899 Hoffenheim, Thomas Frölich, nuk e konsideron marrjen e qetësuesve për dhimbjet si problem. “Në sportin profesionist natyrisht që ne themi se doping janë vetëm substancat që janë në listë.” Dhe qetësuesit e zakonshëm nuk janë në listën e dopingut. Gjetjet e ekipit të gazetarëve hulumtues janë domethënëse dhe shqetësuese, por ata nuk të habisin më. Sidoqoftë qëndrimi i Federatës Gjermane të Futbollit që e toleron marrjen e medikamenteve qetësuese prej vitesh shtron mjaft pyetje.

Leave a Reply