Federata Italiane modifikon protokollin e sigurisë dhe pret “dritën jeshile

0
383
Atalanta vs Lazio - Serie A TIM 2018/2019

Në Itali kanë nisur stërvitjen e diferencuar nën masa maksimale higjienike të gjithë klubet e Serisë A, megjithatë ende nuk dihet nëse dhe kur do të ristartojnë ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020.

Paraprakisht është “ndezur drita jeshile” që duke filluar nga java e ardhshme, të nisin stërvitjet në grupe me nga 5 lojtarë dhe të vijohet kështu duke shtuar numrin deri në stërvitjet e plota në grup, në pritje të miratimit të një date për nisjen e ndeshjeve.

Ditën e djeshme Federata Italiane e Futbollit ka bërë edhe ndryshimet e rekomanduara në protokollin e sigurisë dhe e ka dorëzuar atë pranë ministrive italiane të Shëndetësisë dhe të Sporteve.

Tani mbetet në dorë të dy ministrave përkatës, Speranza e Spadafora, që të ulen në tryezë me kryeministrin Conte dhe Komitetin Teknik të menaxhimit të pandemisë, për të vendosur një datë për rifillimin e kampionatit italian.

Megjithatë rruga drejt rifillimit të kampionatit është ende e gjatë, pasi tani pritet që të vijë miratimi, ndërsa zv. Sekretari i Shëndetit Publik, Mario Zampa deklaroi se ndryshimet në protokoll ishin të domosdoshme dhe se nuk duhet vënë në rrezik jeta e askujt.

“Flitet për humbje të mëdha nëse nuk rifillon kampionati, por protokolli është shumë i rëndësishëm për të ruajtur jetën e njerëzve. Kemi vendosur që klubet të qëndrojnë të izoluara dhe nëse një lojtar i vetëm do të rezultojë pozitiv, atëherë do të ndërpritet kampionati për të paktën dy javë”, deklaroi Zampa.

Gjithsesi vlen të theksohet se nëse do të zbatohet kjo normë dhe në klubet e Serisë A do të rezultojë ndonjë lojtar pozitiv, atëherë do të jetë e pamundur që kampionati të përfundojë brenda afateve që ka vendosur UEFA, ose më saktë brenda muajit korrik.

Leave a Reply