Faza e grupeve mbyllet pa surpriza, ja çiftet që do të përballen në 1/8-at

0
274

Përfundon faza e grupeve të Kampionatit Europian 2020, teksa janë kualifikuar të gjithë skuadrat e mëdha dhe deri tani është e vështirë të gjesh ndonjë element surprizë, deri diku me përjashtim të eliminimit të Polonisë.

Italia, Belgjika dhe Holanda janë skuadrat e vetme që e mbyllën këtë fazë me pikë të plota, duke fituar të tre ndeshjet përkatëse, ndërsa një performancë mjaft të mirë bëri edhe Suedia, që e mbylli në krye të grupit E.

Zhgënjeu në këtë fazë grupesh Anglia, që e mbylli në krye të grupit me 7 pikë, por me vetëm dy gola të shënuar, teksa trajneri Southgate i gëzohet vetëm formës së mirë të mbrojtjes, por edhe Spanja, që bindi vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Sllovakisë.

Kualifikim mes vuajtjesh mori edhe nën-kampionia e botës, Kroacia, që fitoi ndeshjen vendimtare ndaj Skocisë, por edhe Gjermania, që deri në minutën e 84-të të sfidës me Hungarinë e shihte veten jashtë Euro 2020-ës dhe në fund u shpëtua nga një gol i Leon Goretzkës.

Në pritje të kompletimit të 8 çifteve të fazës së 1/8-ave, deri tani spikat përballja mes Anglisë dhe Gjermanisë, dy skuadra me histori të lavdishme në futbollin botëror dhe mbi të gjitha me një rivalitet mjaft interesant mes tyre, por edhe ndeshjet Belgjikë-Portugali dhe Kroaci-Spanjë.

Datat 24 dhe 25 qershor do të jenë pushim dhe Euro 2020 do të rikthehet të shtunën me përballjet Uells-Danimarkë dhe Itali-Austri, përkatësisht në orën 18:00 dhe 21:00.

Ja të gjithë skuadrat e kualifikuara për në fazën e 1/8-ave:
Italia, Uellsi, Zvicra, Belgjika, Danimarka, Holanda, Austria, Ukraina, Anglia, Kroacia, Republika Çeke, Suedia, Spanja, Franca, Gjermania, Portugalia.

Ja çiftet e fazës së 1/8-ave:
Belgjikë – Portugali
Itali – Austri

Francë – Zvicër
Kroaci – Spanjë

Suedi – Ukrainë
Angli – Gjermani

Holandë – Republika Çeke
Uells – Danimarkë./SS

Leave a Reply