Cristiano përçmon shiritin e kapitenit, “Topi i Artë”, çmim i pamundur këtë vit

0
293

Një nga imazhet më befasuese të humbjes së Portugalisë kundër Belgjikës në ndeshjen e luajtur në “La Cartuja” u fiksua në fund të ndeshjes. Në dy sekuenca të ndryshme, Cristiano shihet duke përçmuar shiritin e kapitenit, që e mbajti në krah gjatë lojës si lojtari me më shumë ndeshje në skuadër. Si rezultat i zhgënjimit të tij, CR7 e hedh përtokë; në fund, kur po i drejtohej dhomës së zhveshjes, shihet duke e hedhur përsëri dhe madje duke e shkelmuar. Dikush i thotë diçka ndërsa e merr shiritin, por Cristiano reagon duke bërë një gjest plot zemërim.

Humbja e Portugalisë ndaj Belgjikës në raundin e 1/8-ave të Europianit i heq Cristianos çdo mundësi për të fituar Topin e Artë këtë sezon. “Ylli” portugez i dha lamtumirën turneut shumë më herët sesa pritej dhe, megjithëse shkëlqeu në fazën e grupeve me pesë gola në tri ndeshje, nuk ishte në gjendje të tërhiqte skuadrën kundër Belgjikës, në “La Cartuja”.

Me këtë eliminim të hershëm, Cristiano përfundon një sezon shumë poshtë pritshmërive. Me Juventusin dështoi të fitonte Serinë A, pavarësisht se realizoi 29 gola, madje vetëm në javën e fundit mundi të siguronte pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm. Edhe në kompeticionin më të rëndësishëm për klube u eliminua nga Porto.

Gëzimi i vetëm dhe i vetmi trofe i rëndësishëm i fituar ishte Kupa e Italisë, një sukses i vogël për një skuadër të krijuar për të fituar gjithçka.

Zhgënjimi i fundit i madh erdhi në Europian. Portugalia e nisi turneun si kampione në fuqi dhe kampione e Ligës së Kombeve në vitin 2019. Vendi i tretë në grup, pas Francës dhe Gjermanisë, i dënoi luzitanët të përballeshin me Belgjikën dhe pavarësisht pesë golave ​​të Cristianos në këtë turne, ndjenja e përgjithshme është ajo e fiaskos./SS

Leave a Reply