CR7 e mbyll me Juventusin, kalimi te Manchester City çështje orësh!

0
367

Mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos ka përfunduar gjithçka. Ylli portugez po përjeton orët e tij të fundit si futbollist i bardhezinjëve teksa pas 3 sezonesh me Juven ka vendosur të largohet nga Torino edhe pse ka ende edhe një vit kontratë me Zonjën e Vjetër.

Vizita e papritur në Torino e agjentit të famshëm të CR7-ës Jorge Mendes ka sjellë një tërmet të vërtetë në shtëpinë bardhezi, pasi Mendes u ka bërë me dije drejtuesve të Juves se Ronaldo do t’i braktisë në këtë merkato verore. E ardhmja e 5-herë fituesit të Topit të Artë do të jetë në Premier League sërish në qytetin e Manchester-it por në anën blu të tij, me Manchester City-n që është klubi i vetëm në garë që kërkon shërbimet e 36-vjeçarit. Për të ndërruar ambient Ronaldo ka vendosur të përgjysmojë edhe pagën teksa te Manchester City do të përfitojë 15 milionë euro në sezon ndërsa do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon të tretë.

Problemi i vetëm për të zgjidhur ka të bëjë me vlerën e kartonit të luzitanit, pasi Juventusi kërkon minimalisht 25 milionë euro për kartonin e tij ndërkohë që Manchester City nuk kërkon të shpenzojë asnjë cent por dëshiron ta marrë me kosto zero në Etihad. Paris Saint Germain klubi tjetër që përflitej se kishte interes për Ronaldon është tërhequr nga gara me Jorge Mendes-in që ka marrë një jo të prerë nga drejtori sportive i francezëve Leonardo ndërkohë që edhe presidenti i PSG Nasser Al-Khelaiffi ka konfirmuar gjithçka.

Ndërkohë mediat ndërkombëtare zbulojnë se ka patur edhe një kontakt telefonik mes Pep Guardiolës dhe Cristiano Ronaldos. Dëshira e trajnerit spanjoll ishte të kishte në skuadrën e tij Harry Kane, por në pamundësi për të firmosur me yllin anglez Pep ka pranuar të afrojë në skuadër 36-vjeçarin portugez i cili edhe pse nuk është profili i preferuar për Guardiolën do t’i duhet ta përshtasë me skemat e tij. Me kalimin te Manchester City, Ronaldo do të ketë edhe një tjetër problem pasi do të ngjallë urrejtje te tifozët e Manchester United të cilët e konsiderojnë këtë transferim një tradhëti nga ana e portugezit për të shkuarën që ka patur te Manchester United./SS

Leave a Reply