Austria lehtëson edhe më tutje masat: Nga korriku, verë normale

0
398

Kancelari austriak, Sebastian Kurz kishte premtuar se Austria do t’i kthehet jetës normale deri në fillim të verës. Ai ishte i lumtur që gjërat po shkojnë drejt përmbushjes së premtimit.

Qeveria austriake ka rënë dakord të vazhdojë edhe më tutje lehtësimin e masave. Kështu që, nga 10 qershori do të këtë lehtësime në sport, kulturë, art dhe gastronomi, shkruajnë mediat austriake.

“Diskutimet u zhvilluan me një kënaqësi të madhe. Ekziston një zhvillim pozitiv në të gjitha fushat”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz, të premten në një konferencë për shtyp, pas një takimi të përbashkët me kryetaret e landeve austriake.

Lehtësimi i rregullave të reja do të fillojë të hyjnë në fuqi nga 10 qershori, për të vazhduar me lehtësime të tjera nga korriku, përcjell albinfo.at.

Gastronomi

Në lokalët e gastronomisë do të lejohen sërish të takohen grupe të mëdha. Deri në tetë persona mund të ulën së bashku në ambientet e brendshme të lokaleve, ndërsa deri në 16 persona të rritur (+ fëmijë) në ambientet e jashtme.

Distanca minimale nuk do të jetë më 2 metra, por vetëm 1 metër.

Mbyllja e lokaleve të gastronomisë do të zgjatet edhe për 2 orë më shumë, pra lokalet lejohen të punojnë deri në orën 24:00.

Rregulli i 3G-së (I testuar, apo i vaksinuar apo i shëruar) vazhdon të mbetet në fuqi për të gjithë punonjësit dhe mysafirët.

Kultura dhe eventet

Në sektorët e kulturës dhe eventeve vazhdon të mbetet në fuqi numri i kufizuar: Në ambientet e hapura lejohen të grumbullohen deri në 3.000 persona, ndërkohë në ambientë të mbyllura deri në 1.500 persona.

Pjesëmarrja në ulëset e sallave është rritur nga 50 në 75 %.

Dyqanet – koha e lirë dhe sporti

Sipërfaqja e lejuar nëpër dyqanet tregtare do të ulet nga 20 m2 tani në 10 m2 për person. Pra, kjo nënkupton se në dyqanet tregtare do të lejohen dyfish më shumë persona brenda. Kjo rregull do të jetë edhe për sektorët e kohës së lirë dhe sportit.

Grupet muzikore dhe koret

Të gjitha grupet dhe koret muzikore, të cilët janë pjesë e 3G-së, nuk do t’u përmbahen asnjë rregulli tjetër.

Udhëtimet:

Hyrja në Austri: Vazhdon të jetë në fuqi 3G-ja: I vaksinuar, i rikuperuar apo i testuar.

Udhëtarët me autobus nuk do të kenë nevojë të regjistrohen online (Pre-Travel – Clearance), përveç udhëtarëve që vijnë nga vendet të cilat kanë incidencë të lartë të virusit si dhe ato vende ku ende ekziston rreziku i variantit vazhdojnë rregullat e tanishme.

Po ashtu agjencive të autobusëve u lejohet të mbushin autobusët e tyre me udhëtarë.

Lehtësime të tjera nga korriku

Të premten, qeveria austriake nënvizoi një kalendar për pjesën tjetër të verës: “Nga 1 korriku ju mund të martoheni, mund të festoni dhe do të ketë përsëri evente të mëdha kulturore”, tha Sebastian Kurz. Rregulla 3G mbetet në fuqi; Testimi i detyrueshëm zbatohet edhe për personat nga mosha 12 vjeçare. Rregulli për maska do të zbatohet vetëm aty ku nuk zbatohet rregullorja 3G-së (d.m.th. në transportin publik, në supermarkete, etj.). Për personat me 3G, në gastronomi, nuk ka më asnjë kufizim nga muaji i korrik; restorantet e natës (diskoteka, klube), të cilat janë mbyllur për më shumë se një vit, gjithashtu lejohen të rihapen gjatë verës.

Kurz theksoi: “Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos na rritet mendja, veçanërisht ata që ende nuk janë vaksinuar”.

“Ne po e mbajmë premtimin dhe gjatë verës do i kthehemi jetës normale”, ka thënë i lumtur Kurz.

Leave a Reply