Argjentina e ka siguruar me shumë vështirësi kalimin në 1/8 e finales së Kupës së Botës, pasi mposhti Kepin e Gjelbër me rezultat 3:2 vetëm pas vazhdimeve. Kampionia në fuqi e botës, ndonëse ishte favorite e madhe, hasi në rezistencë të jashtëzakonshme nga përfaqësuesja afrikane.
Lionel Messi kaloi Argjentinën në epërsi 1:0 në minutën e 29-të, duke realizuar golin e tij të 20-të në Kampionatet Botërore. Ai është bërë lojtari i parë që shënon në tetë ndeshje radhazi të Kupës së Botës, ndërsa në këtë edicion ka arritur në kuotën e shtatë golave.
Megjithatë, epërsia nuk i ndali futbollistët e Kepit të Gjelbër, të cilët barazuan në minutën e 59-të me Deroy Duarte. Me rezultatin 1:1 përfundoi koha e rregullt, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.
Vetëm dy minuta pas nisjes së vazhdimit të parë, Lisandro Martinez riktheu avantazhin për Argjentinën, duke shënuar për 2:1, pasi kishte dhënë edhe asistimin në golin e parë.
Por përfaqësuesja afrikane nuk u dorëzua. Sidny Lopes Cabral realizoi për 2:2 në minutën e 103-të, duke e rikthyer edhe një herë baraspeshën.
Fitorja e Argjentinës u vulos në minutën e 111-të, kur pas një krosimi të Messit nga goditja e këndit, Diney Borges devijoi topin në rrjetën e tij. Fillimisht goli iu regjistrua Cristian Romeros, por më pas u evidentua si autogol i Borgesit.
Në minutat e mbetura, Kepi i Gjelbër pati disa raste të mira për të barazuar sërish, por nuk arriti ta dërgonte ndeshjen në penallti.
Kjo u konsiderua një nga ndeshjet më spektakolare dhe dramatike të këtij Botërori.















































