“Yildiz inteligjent, do bëjë karrierë të madhe”, Allegri: Për titullin flasim në maj!

0
149

Juventus u kualifikua në çerekfinalen e Kupës së Italisë pas një fitore tenistike 6-1 ndaj Salernitanës teksa në turin pasardhës gjejnë si kundërshtar Frosinonen. Pas sfidës, trajneri Massimiliano Allegri komplimentoi paraqitjen e të besuarve të tij, sidomos të rinjve me persepektivë që u aktivizuan në 90-minutëshin përballë Salernitanës. Nga ana tjetër, tekniku livornez vlerësoi edhe mbështetjen nga drejtuesit e klubit pavarësisht problematikave të sezoneve të fundit.

“Pësuam një gol të papritur, por më pas reagimi ishte ai i duhuri. Përmbysëm ndeshjen duke dhënë edhe një sinjal jemi mirë fizikisht, ishte një fitore e bukur. Tani na pret një tjetër ndeshje me Salernitanën, këtë herë në kampionat. Do të jetë një ndeshje ndryshe pasi ata janë të motivuar për të reaguar pas kësaj humbje me gjashtë gola të pësuar. Pres një sfidë të komplikuar.

Të rinjtë janë përgjigjur pozitivisht. Në pjesën e parë gabuam disa pasime, por u përmirësuam më pas. Chiesës i mungoi vetëm goli pasi zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer. Në futboll janë shumë të rëndësishëm edhe ata që vijnë nga stoli, Weah e tregoi këtë. Nëse do të jemi të zotët dhe do të kemi mundësitë, mund të luajmë edhe me më shumë lojtarë ofensivë. Megjithatë, kjo varet nga lojtarët dhe zhvillimi i tyre.

Yildiz? Është një lojtar shumë inteligjent dhe me siguri do të bëjë karrierë të madhe. Por, në këtë grup lojtarësh ka shumë të talentuar që kërkojnë të përmirësohen dhe bëjnë gjëra të jashtëzakonshme në fushë.

Ky klub ka pasur gjithnjë themele të forta dhe pavarësisht problemeve të viteve të fundit, drejtuesit gjithnjë kanë qenë në krahun tim. Këto paraqitje të Juventusit nuk vijnë rastësisht, skuadra nuk është ndërtuar për gjashtë muaj apo një vit.

Diçka e tillë është e pamundur. Kemi vite që punojmë dhe kujtoj se në sezonin e kaluar u eliminuam në gjysmëfinalen e Europa League nga Sevilla me një episod karambolesk, ashtu siç ndodhi edhe në Kupën e Italisë ndaj Inter.

Tani skuadra ka qartësinë e duhur dhe duhet të vazhdojmë të punojmë gjithnjë duke qenë me “këmbë në tokë”. Të fitosh te Juventus është diçka normale, dua që në maj të jemi në garë për trofe dhe pastaj të shohim”, u shpreh Allegri./SS

Leave a Reply