Fabián Ruiz ka konfirmuar edhe një herë dëshirën për t’u rikthyer te Betis Sevilla, klub ku e nisi rrugëtimin e tij në futboll.
Mesfushori i Paris Saint-Germainit, i cili është ndër kandidatët për Topin e Artë 2026, deklaroi se vazhdon ta ndjekë me interes klubin andaluzian.
“E them gjithmonë: përpiqem t’i ndjek të gjitha ndeshjet e Betisit dhe jam i lumtur kur ata marrin rezultate të mira. Jam tifoz i Betisit dhe këtë e dinë të gjithë”, deklaroi Ruiz.
30-vjeçari nuk e fshehu as dëshirën për ta mbyllur karrierën në klubin ku u zhvillua si futbollist.
“Do të doja ta përfundoja karrierën time atje. Ende nuk është momenti, por jam i bindur se kjo do të ndodhë në të ardhmen.”
Ruiz kujtoi edhe fitoren 5-3 ndaj Sevillas në derbin e janarit të vitit 2018, ku shënoi golin e tij të parë në derbi.
“Kam kujtime të mrekullueshme nga ajo ndeshje. Ishte fitorja ime e parë në derbi, e shënova edhe golin tim të parë dhe ndeshja u zhvillua në ditën e Epifanisë. Ishte diçka magjike dhe shpresoj që nesër ta përjetojmë një tjetër ditë speciale”, u shpreh Fabián Ruiz./04 Online/















































