Një test i ri gjenetik për kancerin e trurit mund t’u japë pacientëve një diagnozë në më pak se dy orë, duke shkurtuar ndjeshëm pritjen dhe duke mundësuar nisjen më të shpejtë të trajtimit.
Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në Britani, NHS, ka nisur testimin e teknologjisë së re, e cila mund të identifikojë llojin e saktë të tumorit brenda pak orësh, në vend që pacientët të presin me javë të tëra.
Drejtoresha mjekësore e NHS-së, profesoresha Frankie Swords, e ka përshkruar teknologjinë si një “hap të madh përpara për pacientët”, duke thënë se ajo mund ta transformojë mënyrën se si diagnostikohen tumoret e trurit.
Testi analizon ADN-në nga një mostër e vogël e tumorit, e marrë gjatë biopsisë ose vetë operacionit. Kjo do të thotë se, në disa raste, rezultati mund të jetë gati ndërkohë që pacienti është ende në sallën e operacionit.
Një nga përfitimet më të rëndësishme është se rezultati mund t’i ndihmojë kirurgët të vendosin se sa pjesë të tumorit mund të heqin në mënyrë të sigurt, pa dëmtuar indin e shëndetshëm të trurit.
Diagnoza më e shpejtë mund të ndihmojë gjithashtu që kimioterapia ose radioterapia të fillojnë më herët.
Po ashtu, pacientët mund të fitojnë më shpejt qasje në prova klinike, disa prej të cilave kërkojnë që përbërja gjenetike e tumorit të dihet saktësisht përpara pranimit të pacientit.
Rreth 13 mijë persona diagnostikohen çdo vit me tumor të trurit në Mbretërinë e Bashkuar.
Këto tumore janë ndër format më të vështira të kancerit për t’u trajtuar, ndërsa vetëm rreth një në dhjetë pacientë mbijeton më shumë se pesë vjet.
Tumoret e trurit janë gjithashtu ndër shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri te fëmijët dhe të rriturit nën moshën 40 vjeç.
Ekzistojnë më shumë se 100 lloje tumoresh të trurit, nga ato me rritje të ngadalshme deri te format shumë agresive, dhe secili prej tyre mund të reagojë ndryshe ndaj trajtimit.
“Për njerëzit me dyshime për tumor të trurit, marrja e diagnozës së saktë sa më shpejt mund të duket si një garë me kohën, ndërsa pritja për javë të tëra mund të jetë jashtëzakonisht e rëndë për pacientët dhe familjet e tyre”, tha profesoresha Swords.
Sipas saj, testi i ri ka potencialin ta ndryshojë tërësisht diagnostikimin e tumoreve të trurit.
“Një diagnozë më e shpejtë do të thotë që pacientët mund të fillojnë trajtimin e duhur ose të marrin pjesë në prova klinike më herët. Për disa pacientë, kjo mund të nënkuptojë që kirurgët të marrin vendime shumë të rëndësishme për operacionin ndërkohë që pacienti është ende në sallën operative”, tha ajo.
Sekretarja britanike e Shëndetësisë, Yvette Cooper, e cilësoi zhvillimin si një përparim të rëndësishëm teknologjik në trajtimin e tumoreve të trurit.
Sipas saj, informacioni gjenetik që merret brenda pak orësh ose ditësh mund t’i ndihmojë mjekët të zgjedhin trajtimin më efektiv shumë më shpejt se më parë.
Procesi standard i diagnostikimit të tumoreve të trurit përfshin zakonisht skanime MRI dhe CT, të ndjekura nga marrja e një mostre të tumorit.
Kjo mostër dërgohet më pas në laborator, ku analizohet dhe ekzaminohet nën mikroskop. Vendosja e diagnozës përfundimtare mund të zgjasë me javë.
Projekti pilot i NHS England bazohet në testimet që tashmë po zhvillohen në Nottingham dhe Birmingham.
Në fazën e parë, teknologjia do të përdoret në pesë qendra të specializuara, përpara se të zgjerohet më tej në Angli.
Testi i shpejtë gjenomik është zhvilluar nga shkencëtarë dhe mjekë të Universitetit të Nottinghamit dhe Nottingham University Hospitals NHS Trust.
Një nga pacientët që tashmë ka përfituar nga kjo teknologji është 55-vjeçari Steve Palmer nga Nottingham.
Ai u diagnostikua me glioblastomë të gradës 4 pasi u rrëzua papritur në palestër, ndonëse më parë nuk kishte pasur simptoma.
Tumori i tij u analizua ndërkohë që kirurgët po kryenin operacionin.
Vetë sekuencimi gjenetik zgjati rreth 20 minuta, ndërsa rezultati fillestar iu komunikua ekipit kirurgjik më pak se dy orë pasi mostra arriti në laborator.
Palmer tha për BBC se marrja kaq e shpejtë e diagnozës i kurseu javë të tëra pasigurie dhe ankthi.
“Diagnoza e shpejtë më kurseu javë ankthi”, tha ai.
“Nuk ishte rezultati që doja të dëgjoja, por të paktën tani mund të vazhdoj me fazën tjetër të trajtimit dhe rikuperimit dhe të përballem me atë që kam përpara”, shtoi Palmer.
Në fazën e parë, testimi do të zhvillohet në qendra spitalore në Birmingham, Nottingham, Great Ormond Street Hospital, King’s College Hospital dhe Newcastle.
Në fazën e dytë pritet të përfshihen edhe laboratorë gjenomikë në Bristol, Oxford, Leeds dhe Manchester.
Nëse projekti pilot jep rezultatet e pritshme, teknologjia mund ta shkurtojë ndjeshëm kohën mes zbulimit të tumorit dhe fillimit të trajtimit, duke u dhënë mjekëve informacion shumë më të shpejtë dhe më të saktë për llojin e sëmundjes. /GazetaExpress/















































