Yamal “i ka fituar të gjitha” në moshën 19-vjeçare, lavdërohet pas triumfit të Spanjës

0
68

Lamine Yamal ka marrë vlerësime të mëdha pasi ndihmoi Spanjën ta mposhtte Argjentinën 1-0 pas vazhdimeve në finalen e Kupës së Botës.

Talenti 19-vjeçar tregoi sërish qetësi dhe pjekuri në skenën më të madhe të futbollit, ndërsa ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, deklaroi se anësori i Barcelonës “e ka përfunduar futbollin”, pasi medaljes së kampionit të Evropës ia shtoi edhe atë të kampionit të botës.

Dorëzimi simbolik i stafetës

Një nga momentet më emocionuese të finales erdhi pas vërshëllimës së fundit, kur Yamal përqafoi Lionel Messin e përlotur në stadiumin “New York New Jersey”.

Pamja u interpretua si një dorëzim simbolik i stafetës nga një ikonë 39-vjeçare te një talent i jashtëzakonshëm 19-vjeçar.

Yamal, i cili mban fanellën me numrin 10 te Barcelona, ngushëlloi futbollistin që për shumë vite e përcaktoi historinë e atij numri në klubin katalanas.

Fitorja 1-0, e siguruar nga Ferran Torres në minutën e 106-të, bëri që Yamal të shndërrohej në futbollistin më të ri që fiton si Kampionatin Evropian, ashtu edhe Kupën e Botës.

Në moshën 19 vjeç e gjashtë ditë, ai ka arritur atë që shumë legjenda të futbollit nuk mundën ta realizonin gjatë gjithë karrierës së tyre.

Hart: Në moshën 19-vjeçare, i ka fituar të gjitha

Joe Hart veçoi qetësinë e treguar nga Yamal, pavarësisht ndërhyrjeve të forta dhe provokimeve të vazhdueshme të futbollistëve argjentinas gjatë finales.

“Lamine Yamal jo vetëm që nuk reagoi, por u përball me gjithçka. Nuk u frikësua dhe nuk u tërhoq”, deklaroi Hart në BBC Sport.

“E gjithë skuadra kundërshtare po përpiqej ta godiste dhe ta largonte nga loja, por ai vazhdoi të qëndronte shumë i qetë. Ishte një paraqitje vërtet e veçantë.”

“Lamine Yamal është vetëm 19 vjeç. Çfarë dite e jashtëzakonshme për të. Është 19-vjeçar dhe tashmë i ka fituar të gjitha në futboll”, shtoi ish-portieri anglez.

De la Fuente vlerëson sakrificën e Yamalit

Edhe trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, e lavdëroi kontributin e talentit të Barcelonës.

“Ai ka luajtur futboll të shkëlqyer dhe kjo përvojë do ta ndihmojë të piqet e të bëhet një futbollist edhe më i mirë nga sa është tashmë”, deklaroi De la Fuente.

“U sakrifikua shumë për të mirën e skuadrës dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua. Sipas mendimit tim, ai zhvilloi një Botëror shumë të mirë.”

Rekord perfekt si titullar

Yamal mbërriti në turne me shqetësime për një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës, por nisi si titullar në shtatë nga tetë ndeshjet e Spanjës dhe i fitoi të gjitha.

Problemi fizik duket se ndikoi në rendimentin e tij sulmues, pasi e përfundoi turneun me vetëm një gol. Kjo bëri që çmimi i FIFA-s për lojtarin më të mirë të ri t’i jepej bashkëlojtarit të tij, Pau Cubarsi.

Megjithatë, ndikimi i Yamalit në suksesin historik të Spanjës mbeti i padiskutueshëm.

Duke përfshirë edhe gjashtë paraqitjet si titullar në Kampionatin Evropian 2024, ai i ka fituar të 13 ndeshjet që ka nisur nga minuta e parë në turnetë e mëdhenj ndërkombëtarë.

Kjo përbën serinë më të gjatë perfekte të një titullari evropian në historinë e kompeticioneve të mëdha.

Aftësia për ta kombinuar talentin individual me disiplinën mbrojtëse dhe përgjegjësinë taktike e ka shndërruar Yamarin në një nga figurat kryesore të gjeneratës së re të Spanjës.

Yamal, në qendër të epokës së re

Yamal tani do të rikthehet te Barcelona me statusin e një prej yjeve të rinj më të mëdhenj në botë dhe me medaljet e kampionit të Evropës e të botës në koleksionin e tij.

Edhe pse është vetëm 19 vjeç, ai tashmë ka fituar trofe që shumë futbollistë nuk i arrijnë gjatë gjithë karrierës.

Me De la Fuente që vazhdon t’i japë besim të plotë, Yamal pritet të mbetet në qendër të epokës së re të Spanjës, ndërsa kampionët e botës synojnë ta vazhdojnë dominimin edhe në turnetë e ardhshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here