Tërheqja nga Trusti mund të prodhojë kundërefekt në ekonomi

0
216

Instituti GAP ka publikuar një raport për “Ndikimin e luftës në Ukrainë në ekonominë e Kosovës”.

GAP ka rekomanduar që politikat qeverisëse duhet të jenë të atilla që të mos stimulojnë kërkesën për produktet si energji elektrike, naftë, grurë, misër e vaj, ku Kosova është neto importuese e tyre.

Nga GAP është thënë se reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale të qytetarëve dhe mbështetja e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti mund të kenë kundërefekte në ekonomi.

“Lidhur me situatën aktuale, Instituti GAP rekomandon që politikat e qeverisë duhet të jenë të atilla që nuk e stimulojnë kërkesën për këto produkte. Në këtë pikë, reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale për të gjithë qytetarët dhe mbështetja e nismave sikurse ajo për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti pensional, mund të prodhojnë kundërfekte në ekonomi. Është e rëndësishme që qeveria me të hyrat e arkëtuara përtej planifikimit, si rezultat i çmimeve të larta, të mbështesë edhe më shumë grupet më të pa mbrojtura të shoqërisë, që rrezikojnë të bien në varfëri, sikurse qytetarët që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale, ata që mund të humbin vendet e punës, etj”, thuhet nga GAP.

Partitë opozitare kanë përkrahur iniciativën për një tërheqje tjetër nga Trusti pensional. Është propozuar një tërheqje prej 30 për qind.

“Qeveria duhet të jetë e kujdesshme që të mos ndërmarrë politika të cilat janë pro-ciklike, pra që e stimulojnë edhe më tej kërkesën e madhe agregate për produktet e shtjelluara në këtë analizë, e që mund të kenë kundërefekt në ekonomi. Veçanërisht, iniciativa e disa deputetëve që qytetarëve tu lejohet tërheqja e 30% të kursimeve në Trustin pensional përveç se e dëmton stabilitetin e financave publike ka efekt të kundërt me pritjet”, thuhet nga GAP.

GAP ka vlerësuar se subvencionimi në bujqësi dhe ulja e normës së akcizës për naftën për bujqit në vitin 2022, ishin masa adekuate. Instituti ka bërë thirrje edhe të konsiderohen zgjedhjet e strategjive mbrojtëse për energji elektrike.

“Institucionet duhet të konsiderojnë zgjedhjen e strategjive mbrojtëse për energji elektrike këtë vit, marrë parasysh indikacionet për çmime të larta të importit të energjisë elektrike edhe në periudhën afatmesme”, thuhet nga GAP.

Leave a Reply