Studentët e Fakultetit Juridik vizituan Prokurorinë Themelore në Prizren

0
345

Prokurorinë Themelore në Prizren e vizituan një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, vizitë kjo e organizuar nga “Lëvizja FOL” në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, të cilët kishin për qëllim njohjen në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë institucion, thuhet në njoftim, transmeton 04 Online.

“Qëllim kryesor i kësaj vizite, ishte edukimi dhe marrja e njohurive praktike dhe të drejtpërdrejta nga kjo prokurori, ku me këtë rast, studentëve mirëseardhje i shprehu kryeprokurori Admir Shala.

Gjatë këtij takimi, kryeprokurori Admir Shala, fillimisht e vlerësoi vizitën e studentëve, si dhe i njoftoi për funksionimin dhe efikasitetin e prokurorisë si dhe bëri një pasqyrim të punës së përditshme të prokurorëve.

Më tutje, Shala, i njoftoi studentët për bashkëpunimin që ka prokuroria me policinë, gjykatën si dhe me institucionet tjera të drejtësisë. Po ashtu, studentët u njoftuan edhe me procedurat për sa i përket trajtimit të lëndëve, që nga pranimi i kallëzimeve penale, faza e hetimeve, e deri tek ngritja e aktakuzave, pushimi i hetimeve apo hudhja e kallëzimeve penale, si dhe përfaqësimi i rasteve penale në gjykata.

Pas prezantimit fillestar, vijoi diskutimi i hapur me studentët. Kryeprokurori i’u përgjigj interesit të studentëve, të cilët u fokusuan mbi aspekte të ndryshme. Disa nga pikat për të cilat u interesuan më shumë studentët ishin, informimi me procedurën e raportimit të rasteve në institucionet e ndjekjes, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien e këtij institucioni, trendin e rritjes së rasteve apo veprave penale si dhe mundësinë e programit një vjeçar për praktikantë vullnetarë në Prokurorinë Themelore në Prizren”, thuhet në njoftim./04 Online

Leave a Reply