Shtyhet për të premten afati i paraqitjes së kandidatëve të LVV-së për Kryetar të Prizrenit

0
274

Afati për paraqitjen e kandidaturave për kryetar komune brenda Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, është shtyrë për ditën e premte pasdite, edhe pse ishte paralajmëruar se një gjë e tillë do përfundonte këtë të hënë në ora 17:00, njofton për TV Prizreni, zyrtari i Qendrës së LVV-së dhe anëtari i komisionit zgjedhor, Karanfil Haxhillari.

Sipas burimeve të TV Prizreni, prej 1 korrikut e deri më sot kur është hapur afati i aplikimit për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të komunës së Prizrenit nga radhët e LVV-së në zgjedhjet e sivjetme lokale, kandidaturat e tyre i kanë paraqitur kryetari aktual i komunës, Mytaher Haskuka, deputetja Drita Millaku dhe mjeku, Irfan Daullxhiu. Sipas këtyre burimeve, nuk përjashtohet mundësia që deri ditën e premte kur pritet të mbyllet afati i paraqitjes së kandidaturave, të ketë edhe emra të rinj që do t’i bashkohen këtyre 3 kandidatëve.

Deri sa shumica e partive të tjera prej kohësh kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për kryetar të Prizrenit, si dega e PDK-së Shaqir Totajn, ajo e LDK-së Anton Qunin, Nisma Socialdemokrate Zafir Berishën, një gjë të tillë deri më tani nuk e kanë bërë Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje dhe dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sikurse edhe partitë e komuniteteve pakicë, të cilat pritet të mbështesin kandidatin e LVV-së.

Leave a Reply