Shoqata “Operacioni Shigjeta” reagon kundër bastisjeve të Speciales: Ky inkursion i egër do të mbetet si histori e turpit

0
158

Shoqata “Operacioni Shigjeta”, përmes një komunikate për media, është shprehur e shqetësuar me zhvillimet e fundit, me ç’rast të enjten e 2 nëntorit është bastisur shtëpia e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherit Komandantit të Operacionit Shigjeta, gjeneral Bislim Zyrapit, nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Çfarëdo qoftë preteksti i përdorur nga ana e Gjykatës Speciale për këto bastisje, që tash e sa ditë po iu bien njerëzve në qafë duke i shqetësuar pa nevojë familjet e tyre, janë dhe do të mbetën veprime të papranueshme”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Ky inkursion i egër, sipas tyre, synon të përdhosë dinjitetin e njerëzve që dhanë shumë për këtë vend dhe njëkohësisht të frikësojë opinionin publik.

“Ky inkursion i egër do të mbetet si histori e turpit”, potencon komunikata.

Sipas Shoqatës në fjalë Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një ushtri e lindur nga gjiri i popullit, e cila ka bërë luftë çlirimtare dhe në asnjë rast nuk ka qenë agresore.

“Plagët e kësaj lufte janë ende të hapura. Pothuajse çdo ditë shënojmë përvjetorë dëshmorësh apo viktimash të luftës, pa përmendur edhe shumë pasoja të tjera. Prandaj, e themi me bindje të plotë se asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën e lavdishme të UÇK-së”.

Ndër të tjera komunikata thekson se Shoqata “Operacioni Shigjeta”,  me vëmendje po i përcjellë proceset gjyqësore në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Jemi të vetëdijshëm për padrejtësinë që po u bëhet dhe thellësisht të bindur në pafajësinë e tyre. Prandaj, i bëjmë thirrje Gjykatës Speciale që të sillet konform ligjeve dhe standardeve, sepse eprorët dhe ushtarët e UÇK-së në krejt këtë padrejtësi që po u bëhet, së paku meritojnë trajtim njerëzor”./albanianpost.com/

Leave a Reply