Foda pas humbjes: Liga B është nivel tjetër nga Liga C

0
26

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka komentuar humbjen 3-0 ndaj Irlandës, duke pranuar se skuadra duhet të nxjerrë mësime nga kjo përballje dhe të përgatitet për nivelin më të lartë të garës.

Foda vlerësoi paraqitjen e mirë të Kosovës në minutat e parë, por theksoi se kartoni i kuq ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e ndeshjes.

“Filluam mirë. Në 20-25 minutat e parë ishim më të mirë dhe më dominantë. Është dashur të kalojmë në epërsi. Pas kartonit të kuq ishte vështirë të luajmë me një lojtar më pak. Pas golit të dytë ishte shumë e vështirë, pasi Irlanda bëri edhe më shumë presion. Në këtë nivel nuk mund të luash dy ndeshje rresht me një lojtar më pak. Nuk është dashur të ndodhë kartoni i kuq. Skuadra mori mësim nga këto lojë. E pamë që Liga B është nivel tjetër me Ligën C”, tha Foda pas ndeshjes.

Ai gjithashtu vuri në pah nevojën që futbollistët e Kosovës të kenë më shumë minuta aktivizimi në klubet ku luajnë.

“Shumë lojtarë kanë luajtur pak në klubet e tyre. E rëndësishme tani është që lojtarët të luajnë më shumë në klubet e tyre”, e mbylli ai.

Humbja ndaj Irlandës bëri që Kosova të humbasë pozitën e dytë në grupin B3, duke mbetur jashtë vazos së dytë për shortin e kualifikimeve të rregullta për Kampionatin Evropian 2028./04 Online/