Real Madrid ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin edhe me një nga lojtarët më me eksperiencë të repartit defensiv, pak kohë pasi u konfirmua largimi i kapitenit Dani Carvajal.
Sipas mediave në Spanjë, Antonio Rudiger ka gjetur gjuhën e përbashkët me klubin madrilen për rinovimin e kontratës edhe për një tjetër sezon. Qendërmbrojtësi gjerman pritet të nënshkruajë marrëveshje deri në verën e ardhshme, pasi drejtuesit e klubit vazhdojnë të zbatojnë politikën e tyre për kontrata afatshkurtra me futbollistët mbi moshën 30-vjeçare.
Fillimisht, mbrojtësi kishte synuar një zgjatje dyvjeçare, por në fund ka pranuar kushtet e vendosura nga klubi, duke kuptuar se te madrilenët nuk bëhen përjashtime.
Edhe pse kishte oferta të rëndësishme financiare nga klubet saudite, Rudiger ka zgjedhur të vazhdojë aventurën në “Santiago Bernabeu”.
Ky sezon nuk ka qenë ndër më të lehtit për të, pasi problemet fizike dhe shqetësimet me gjunjët e lanë jashtë për një periudhë të gjatë gjatë pjesës së parë të kampionatit. Megjithatë, ai arriti të rikthehej në formacion dhe ta mbyllte sezonin si titullar, duke fituar konkurrencën me talentin e ri Dean Huijsen.
Gjatë sezonit, Rudiger zhvilloi 26 ndeshje dhe realizoi një gol, ndonëse deri para dhjetorit kishte vetëm dy paraqitje.
Aktualisht, vetëm tre qendërmbrojtës konsiderohen pjesë e sigurt e skuadrës për edicionin e ardhshëm: Rudiger, Huijsen dhe Eder Militao. Ky i fundit po kalon një tjetër periudhë të vështirë për shkak të një dëmtimi serioz që mund ta mbajë jashtë edhe në Kupën e Botës.
Në anën tjetër, e ardhmja e Raul Asencio mbetet ende e paqartë, ndërsa David Alaba pritet të largohet pas përfundimit të kontratës.
Raportimet gjithashtu bëjnë të ditur se Manchester City u ka propozuar madrilenëve transferimin e mbrojtësit kroat Josko Gvardiol, teksa klubi vazhdon punën për përforcimin e mbrojtjes para sezonit të ri.














































