Aventura e Rodrit te Barcelona është gjithnjë e më pranë nisjes zyrtare. Pas marrëveshjes së arritur mes klubit katalunas dhe Manchester Cityt për transferimin e mesfushorit spanjoll, për një shumë prej 65 milionë eurosh plus bonuse, lojtari po përgatitet për udhëtimin drejt Barcelonës.
Sipas “Cadena Cope”, Rodri pritet të mbërrijë në qytetin katalunas rreth orës 19:00, pasi ka përfunduar me sukses testet mjekësore në Manchester.
Mesfushori spanjoll pritet të nisë shumë shpejt kontaktin e parë zyrtar me klubin e tij të ri. Sipas raportimeve, Rodri mund të prezantohet të mërkurën së bashku me Joao Cancelon, duke i dhënë start një kapitulli të ri në karrierën e tij, shkruan 04 Online.
Pas disa vitesh të suksesshme te Manchester City, Rodri largohet nga klubi anglez pasi fitoi trofe të rëndësishëm, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Premierligën. Në vitin 2024, ai u shpërblye edhe me “Topin e Artë”, duke u kurorëzuar si futbollisti më i mirë në botë.
Edhe pse për një kohë të gjatë ishte lidhur me një transferim te Real Madridi, Rodri ka zgjedhur rikthimin në futbollin spanjoll për t’iu bashkuar Barcelonës.
Te skuadra e Hansi Flick, 30-vjeçari pritet të ketë një rol qendror në mesfushë dhe të jetë një prej figurave kryesore të projektit të ri të klubit katalunas.
Transferimi i Rodrit përfaqëson një përforcim të rëndësishëm për Barcelonën, ndërsa rikthimi i fituesit të “Topit të Artë” në La Liga i jep një tjetër dimension garës në futbollin spanjoll./04 Online/















































