Reali, kualifikim dramatik mes spektaklit, çfarë keqardhjeje për Chelsea-n!

0
256

Në “Santiago Bernabeu” u zhvillua një nga ndeshjet më të mëdha të futbollit, të paktën këto vitet e fundit. Reali i Madridit u kualifikua mes drithërimash (2-3) në gjysmëfinale të Championsit, edhe pse Chelsea arriti të shënonte tre golat e parë të sfidës, duke përmbysur përkohësisht humbjen 1-3 të ndeshjes së parë.

Blutë e Londrës e nisën furishëm ndeshjen, duke shënuar që në minutën e 15-të me Mount, me pjesë e parë që u mbyll me epërsinë e ngushtë të miqve. Sapo nisi pjesa e dytë, Rudiger realizoi me kokë golin e 0-2, për të ardhur më pas te finalizimi i Marcos Alonsos, që u anulua nga sistemi VAR për prekje të topit me dorë. Gjithsesi goli i tretë nuk do të vononte shumë, pasi Werner, pasi “vallëzoi” mes mbrojtësve vendës, shënoi golin e tretë.

Në këtë moment zgjohet Reali, që shfrytëzon ndoshta mendjemadhësinë e Chelsea, që vazhdonte të sulmonte për golin e katërt. Një asist perfekt i Luka Modricit shtyhet drejt rrjetës nga Rodrygo, finalizim që e çoi ndeshjen në shtesë.

Në minutën e gjashtë të pjesës së parë shtesë, ngjitet në katedër Karim Benzema, që s’mund t’i mungonte listës së golashënuesve me një gol të rëndë, të realizuar pas asistit të Vinicius Junior.

Emocionet ishin të mëdha deri në sekondat e fundit të shtesës, me Realin që nuk lejoi të pësonte një tjetër gol, që do t’i çonte skuadrat te penalltitë, duke hequr nga froni i kampionit në fuqi pikërisht Chelsea-n e Tuchelit./SS

Leave a Reply