Rama në Sarajevë: Të mundësohet lëvizja e lirë me letërnjoftim për qytetarët e Kosovës

0
182

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të turit ballkanik po qëndron sot në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Gazeta Sinjali.

Në një konferencë të përbashkët me kryetaren e Këshillit të Ministrave në Bosnjë, Borjana Kristo, Rama ka thënë se nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera.

Ai ka kërkuar që të mundësohet lëvizja e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Kosovës, duke thënë se është e pakuptimtë të ketë problematika të kësaj natyre.

Po ashtu, kryeministri shqiptar ka bërë me dije se së shpejti në Sarajevë do të hapet ambasada shqiptare.

 “Uroj që ky të jetë një shembull se si të gjithë vendimet dhe proceset kaq të rëndësishme për mirëqenien e përbashkët duhet të merren dhe zbatohen. Dëshirojmë t’i forcojmë mardhëdhëniet me Bosnjen dhe jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë. Në Bosnje jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në ligjin e minoriteteve të republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera dhe unë ia thashë edhe kryeministres që jemi të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që të kemi problematika të kësaj natyre ndërkohë që politika duhet të mbështesë”, tha kryeministri Rama nga Sarajeva.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Rama qëndroi për vizitë në Kosovë, ku u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. E një takim me kryeministrin, Albin Kurti, nuk u mbajt përkundër kërkesës së Ramës dhe ‘bindjes’ së tij ndaj shefit të Qeverisë kosovare për nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta.

Pas Bosnje dhe Hercegovinës, ai do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me kryeministrin, Dritan Abazoviq.

Në mbrëmje, ai do të shkojë në Serbi për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe, këto vizita Rama po i zhvillon për t’u konsultuar me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor para Samitit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here